Mafia shqiptare është vënë në qendër të mediave italiane. Në një artikull të publikuar së fundmi, trajtohet historiku i kriminalitetit të organizuar shqiptar që është shtrirë në Evropë.

Italia është parë si porta e parë. Afërsia gjeografike dhe rrugët e shkurtra detare e bëjnë Italinë ‘platformën ideale’. Fillimisht krimet e raportuara ishin të tilla si vjedhje, grabitje apo shfrytëzim prostitucioni.

Por që në mesin e viteve ’90, grupet shqiptare morën një rol më të madh në trafikun e heroinës përgjatë rrugës ballkanike.

Me kalimin e kohës arritën të kalonin në menaxhimin e drejtpërdrejtë të ngarkesave të kanabisit të kultivuar në Ballkan, hyrje në tregun e kokainës, bashkëpunim i qëndrueshëm me organizata italiane.

Pra jo thjesht punëtorë, por partnerë të besueshëm në logjistikë dhe shpërndarje.

Strukturë fleksibile apo edhe lidhje familjare

Ndryshe nga mafiet tradicionale italiane, kriminaliteti shqiptar nuk ka një strukturë unike dhe të dallueshme. Nuk ekziston një “kupolë” e centralizuar. Bëhet fjalë për klane familjare, të lidhura nga gjaku apo territori.

Forca e tyre qëndron në kompaktësinë e brendshme dhe aftësinë për të lëvizur shpejt mes vendeve të ndryshme. Rrjetet në Itali dhe në pjesën tjetër të Evropës sigurojnë mbështetje logjistike, kontakte dhe mbulim. Çdo grup vepron relativisht në mënyrë autonome, por ruan lidhje me vendin e origjinës.

Një tjetër tipar dallues, sidomos në vitet ’90, ka qenë dhuna e drejtpërdrejtë dhe demonstrative: larje hesapesh, rrëmbime, përplasje të armatosura. Me kalimin e kohës, shumë organizata kanë zgjedhur një profil më të ulët, duke u fokusuar te trafiqet fitimprurëse dhe pastrimi i parave.

Sot kriminaliteti i organizuar shqiptar konsiderohet ndër më dinamikët në Europë. Hetimet ndërkombëtare tregojnë aftësinë për të kontrolluar segmente të tëra të zinxhirit të kanabisit në Ballkan dhe për të negociuar drejtpërdrejt me furnitorë nga Amerika Latine për kokainën.

Karakteristika kryesore e rrjetit janë grupe të shpejta, pa një markë të vetme, por me një identitet të fortë komunitare. Një fenomen i lindur nga kolapsi institucional i viteve ’90 që, brenda një brezi është shndërruar në një protagonist të heshtur, por qendror të kriminalitetit ndërkombëtar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: