Skandali i zhdukjes së shisheve të shtrenjta të verës që u zbuluan në një qilar në një resort në pronësi të Ergys Agasit po hetohet nga SPAK.

Burime pranë këtij institucioni thanë se kanë pranuar dosjen që iu përcoll për kompetencë nga prokurori Bledar Valikaj, i cili ka arritur në konkluzionin se vera është produkt i veprimtarisë kriminale ku është përfshirë Agasi.

Vera u sekuestrua nga SPAK në kuadër të kontrolleve që u kryen në pronat e Ergys Agasit, kur ai u shpall në kërkim bashkë me Ermal Beqirin si të dyshuar si krerët e një grupi kriminal që rrëmbente biznesmenëve dhe i detyronin të tërhiqeshin nga tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Malli i sekuestruar iu la në ruajtje kushëririt të të shumëkërkuarit, por kur të nesërmen autoritetet doganore shkuan për ta marrë dhe magazinuar, konstatuan se vera ishte zhdukur.

Kushëriri i Agasit, po hetohet nga prokuroria e kryeqytetit për veprime që pengojë zbardhje e së vërtetës, pasi nuk tregon se ku i dërgoi shishet e verës.

Sipas aktit të ekspertimit, rezulton që vlera të jetë 1.4 mln euro, por kjo vlerë e verës rritet me të paktën dyfish nëse do të shitej me shishe.

Ergys Agasi, është në kërkim ndërkombëtar bashkë me Ermal Beqirin, për akuzat e konkurrencës së paligjshme përmes heqjes së paligjshme të lirisë e grupit kriminal.

SPAK po i heton nën dyshimet se urdhëruan rrëmbimin e biznesmenit  Gerond Meçe dhe e detyruan të tërhiqte ankesat për tenderat e AKSHI-t.

Nën masën e arrestit në shtëpi janë ish-drejtoresha e AKSHIT Mirlinda Karçanaj dhe ish-zv.drejtoresha Hava Delibashi, ndërsa masa ma të lehta janë firmosur ndaj disa biznesmenëve dhe një zyrtari policie.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb