Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneral-major Enrico Barduani, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Beograd, ku është takuar me komandantin e Forcave të Armatosura Serbe, gjeneral Milan Mojsilović. Kjo vizitë vjen pas takimit të fundit mes tyre, të mbajtur në tetor të vitit 2024.

Në deklaratën zyrtare të KFOR-it, theksohet se takimi ishte pjesë e ndërveprimeve të rregullta të komandantit të misionit me homologët rajonalë. Gjenerali Barduani vlerësoi marrëdhëniet e krijuara ndër vite mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe, duke e cilësuar këtë partneritet si thelbësor për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Ne kemi një bashkëpunim të gjatë me Forcat e Armatosura Serbe dhe unë jam plotësisht i përkushtuar për të ndërtuar mbi këtë gjatë pjesës tjetër të mandatit tim. Bashkëpunimi i vazhdueshëm, dialogu dhe shkëmbimi i informacionit janë të dobishme për të dyja palët dhe janë çelësi i stabilitetit rajonal”, u shpreh komandanti i KFOR-it.

Pjesë e vizitës ishte edhe një takim me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të QUINT-it – Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara – si dhe me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Serbi.

Sipas KFOR-it, gjeneral Barduani i informoi ambasadorët mbi aktivitetet e fundit të misionit dhe mbi bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin ndërkombëtar.

“Komandanti theksoi mbështetjen e palëkundur të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftim.

KFOR nënvizon se këto takime janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të forcuar koordinimin në rajon dhe për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe më gjerë.

*BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb