Nga ERMELINDA HOXHAJ*
Mbi 250 mijë qytetarë, mes tyre ushtarakë, mjekë, infermierë e mësues, por edhe punonjës të ministrive të ndryshme, rrezikojnë pensionin. Për 8 vite me radhë, këta zyrtarë janë mashtruar nga shteti, pasi u janë mbajtur paratë për sigurimet shoqërore, por asnjëherë nuk u janë derdhur në arkë. Skandali i sigurimeve është denoncuar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ditën e djeshme, gjatë analizës 1-vjetore të punës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Sipas ministrit Veliaj, në total janë 53 mijë subjekte, të cilat i kanë deklaruar punonjësit por nuk iu kanë derdhur sigurime shoqërore në tetë vite, prej të cilave, rreth 1400 janë institucione buxhetore. Pra pjesa më e madhe e buxhetorëve kanë punuar në të zezë. Ndërsa vlera totale e borxhit që këto subjekte i kanë Institutit të Sigurimeve Shoqërore është rreth 109 milionë dollarë, vlerë kjo që sipas ministrit Veliaj duhet të shlyhet nga ministritë dhe institucionet përkatëse.
Sigurimet dhe Borxhi
Piramida më e madhe e mashtrimit pas piramidave të vitit ’97, e ka konsideruar skandalin me mospagimin e sigurimeve të 250 mijë punonjësve ministri Erion Veliaj. Rreth 53 mijë subjekte, nga të cilat 1407 institucione publike buxhetore, nuk u kanë paguar sigurimet shoqërore punëtorëve të tyre të deklaruar gjatë tetë viteve të qeverisë së kaluar. Ministri Veliaj, gjatë analizës një-vjeçare të punës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit, theksoi se 2015-ta është viti i luftës ndaj informalitetit në punë. Ndër të tjera ai theksoi edhe rëndësinë që ka marrë nga 1 janari 2015, deklarimi i plotë i pagës dhe derdhja e kontributeve shoqërore me zbatimin e reformës së re të pensioneve. Veliaj tha se borxhi që subjektet në fjalë i kanë Institutit të Sigurimeve Shoqërore arrin në 109.5 milionë dollarë. “Në total, numri i subjekteve që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për punëtorë të deklaruar është 53.060, nga të cilat, 1407 janë institucione publike buxhetore, kurse 51.653 janë subjekte private. Në total, ato kanë rrezikuar pensionet e 250 mijë shqiptarëve”, – deklaroi ministri Veliaj.
Ai përmendi disa nga institucionet më të rëndësishme, si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, ALUIZNI, QSUT-ja etj., të cilat gjatë tetë viteve të qeverisjes së kaluar nuk u kanë paguar sigurimet punonjësve të tyre, duke u rrezikuar kështu edhe një pjesë të mirë të pensionit. “Nëse kjo nuk do të ishte zbuluar, një pjesë e mirë e ushtarakëve do të rrezikonin të mbeteshin pa pensione. Ka reparte ushtarake të cilat kanë deri në 1 milion dollarë sigurime shoqërore të papaguara. Vendi ku kemi jetuar në 8 vite, ka qenë një vend i cili paska punuar në të zezë për mijëra zyrtarë të Republikës së Shqipërisë. Veç ministrive, ALUIZNI është institucioni me debinë më të madhe; një institucion që duhej të ishte përgjegjës për legalizimin e shqiptarëve që kishin ndërtuar në mënyrë ilegale ishte vetë ilegal, sepse punonte në të zezë”, – tha Veliaj.
(Në numrin e sotshëm të Gazetës Shqiptare, lista e 72 institucioneve shtetërore që kanë detyrimet më të larta të pashlyera të punonjësve)
(ar.sh/BalkanWeb)
