“Mbretëresha e Ketaminës”, trafikantja e drogës që siguroi dozën fatale që vrau yllin e “Friends”, Matthew Perry është deklaruar fajtore për akuza të shumta federale që lidhen me vdekjen e aktorit.
Jasvin Sanga, 42 vjeç ,pranoi të deklarohej fajtore për një akuzë për mbajtjen e një objekti droge, tre akuza për shpërndarje të ketaminës dhe një akuzë për shpërndarje të ketaminës që rezultoi në vdekje ose lëndime të rënda trupore, njoftoi të hënën Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Qendror të Kalifornisë.
Sanga, e cila ka shtetësi të dyfishtë amerikane dhe britanike, akuzohet se i ka furnizuar aktorit doza vdekjeprurëse përmes asistentit të tij personal dhe tani është personi i pestë që pranon përfshirjen në këtë rast.
Aktori 54-vjeçar u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Los Angeles më 28 tetor 2023, dhe ketamina ishte shkaku kryesor i vdekjes, sipas mjekut ligjor.
Pas vdekjes së Perry-t, katër persona të tjerë janë akuzuar për krime droge, përfshirë mjekun 55-vjeçar nga San Diego, Mark Chavez , i cili u deklarua fajtor në tetor 2024 për komplot për shpërndarjen e ketaminës. Ai mund të përballet me deri në 10 vjet burg kur të dënohet në shtator. Eric Fleming,
55 vjeç, u deklarua fajtor në gusht 2024 për akuzat që përfshijnë trafikimin e ketaminës dhe përballet me deri në 25 vjet burg kur të dënohet në nëntor
Ndihmësi i Perry-t, 60-vjeçari Kenneth Iwamasa, i dha aktorit dozën fatale të ketaminës dhe gjithashtu u deklarua fajtor në gusht 2024 për komplot për të shpërndarë ketaminë që shkaktoi vdekjen. Ai përballet me deri në 15 vjet burg kur të dënohet në nëntor.
Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Dr. Salvador Plasencia , mjeku që ishte objektivi kryesor i hetimit të gjerë për vdekjen nga mbidoza e aktorit Matthew Perry, u deklarua fajtor për administrimin e ketaminës, pavarësisht se dinte për betejën e tij me varësinë.
(BalkanWeb)
