Ka ndërruar jetë profesor doktor Titi Tamburi. Tamburi lindi më 2 dhjetor 1944 në Përmet në një familje atdhetare. Ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe ka lënë gjurmë në mjekësi.

U rrit dhe u edukua në Tiranë ku ai ushtroi profesionin e tij si mjek neurolog dhe lektor në universitet.

Puna e tij e palodhur, dashuria për njerëzit, shpirti i tij fisnik vetëmohues e bënë shumë shpejt një emër shumë të njohur në Tiranë e gjithë Shqipërinë.

Nuk dinte t’i thoshte kurrë jo çdokujt që kërkonte ndihmën e tij. Titi ishte një bir i devotshëm, shok i mirë, mik i shtrenjtë, bashkëshort besnik dhe baba shembullor.

Emri i tij i madh, reputacioni, arritjet dhe sukseset e spikatura në specializime në klinikat më të mira të botës nga Franca në Zvicër, Vjenë, Itali e deri në Amerikë, postet si Shef dhe Krijues i Reanimacionit të Parë në Shqipëri prej shumë vitesh, e më pas Konsulent Neurolog i QSUT, nuk e ndryshuan atë.

Ai mbeti i njëjti doktor Titi, i thjeshtë, i dashur, fisnik dhe i kujdesshëm ndaj kujtdo. Në Kanada punoi me studentët PhD të psikologjisë të Universitetit të Windsor-it si Profesor i Kurseve Pasuniversitare të Neuropatologjisë dhe Diagnozës Neurologjike, Neuroanatomisë, Neurofiziologjisë dhe Neurobiokimisë që nga viti 2000 e në vazhdimësi.

Nga viti 2005 deri në fillim të vitit 2025 jepte mësim në lëndët Patofiziologji, Anatomi dhe Fiziologji në fakultet në Michigan, SHBA.

Problemet e tij shëndetësore e kufizuan shumë temperamentin e tij plot dashuri për jetën.

Luftën për jetën e humbi më 12 shkurt 2026 në orën 8 të mëngjesit. Iku me zemrën mbushur me dashuri për Shqipërinë e tij (si për atë brenda edhe jashtë kufijve), si edhe për të gjithë ata që e donin.

Lë mbrapa gruan e jetës së tij me të cilën mbeti përherë i dashuruar si dhe tre fëmijë intelektualë dhe patriotë, Jonia, Andia dhe Arti Tamburi. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb