Sfidat e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, inovacionit, zhvillimit të qëndrueshëm, mjedisit, reformave integruese, midis komuniteteve në Ballkanin Perëndimor janë diskutuar në Tiranë në kuadër të konferencës “SYNERGY 2025 – Sinergji midis Pushtetit Vendor për Integrimin Rajonal”.
Ajo është organizuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor, në bashkëpunim me Ambasadën e Japonisë në Shqipëri. Ambasadorja sqaroi mbështetjen e vendit të saj.
“Japonia ka lançuar në vitin 2018 nismën e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor që synon të mbështesë reformat socio-ekonomike drejt Integrimit në BE, ashtu siç synon përshpejtimin e pajtimit dhe bashkëpunimit në rajon.
Si partner global na pëlqen të mbështesim sa më shumë vende si në rastin e Ballkanit Perëndimor ku ndërmarrim këtë nismë”, tha ambasadorja Kato Kikuko.
Ambasadorja, vërejti rëndësinë e takimit në Tiranë të përfaqësuesve të disa shteteve.
“Ky takim është pjesë e nismës së bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor. Tema e sivjetshme është “Sinergjia” mes qeverisë vendore, e cila luan një rol të madh në demokratizimin e zhvillimin e rajonit. Kjo temë inkurajon të gjithë, përfshirë ministrat për qeverisjen vendore, kryetarët e bashkive dhe organizatat, për të përshpejtuar përpjekjet për të arritur zhvillim të drejtë. Konferenca është një platformë ku të gjitha palët e interesuara diskutojnë dhe shkëmbejnë përvoja”, tha ambasadorja Kato Kikuko.
Nisma bashkon disa vende dhe organizata në një përpjekje që lidhet me reformën e qeverisjes vendore, në kontekstin e procesit të integrimit europian.
“Meqë shtete e rajonit i janë përafruar Integrirmit europian, kemi menduar të analizojmë pushtetin vendor që sa kanë arritur të përafrojnë politikat me integrimin e BE-së”, u shpreh Dafina Beqiri, nga Fondi i Ballkanit Perendimor.
Konferenca mbahet në tri ditë duke trajtuar tema mbi zhvillimin e qëndrueshëm, atë ekonomik dhe strategjitë e inovative të financimit, në qytetet e Ballkanit Perëndimor.
(BalkanWeb)
