Temperaturat e ulëta disa gradë nën zero do të vijojnë të jenë prezente deri në datën 20 janar, sidomos në zonat veriore të vendit.

Meteorologia Lajda Porja gjatë një prononcimi në media deklaroi se pavarësisht se temperaturat do të vijojnë të kenë një rritje deri në 3 gradë, duke nisur nga e mërkura e kësaj jave, sërish ato do të jenë nën zero në zonat veriore dhe verilindore.

“Në fundjavë do të rikthehen edhe reshjet e dëborës në këto zona”, tha ajo. Gjatë ditës së sotme, sipas znj. Porja do të ketë një rritje me 1 deri në 2 gradë në mesditë, në Tiranë dhe disa qytetet të tjera. Por, gjatë natës temperaturat do të shkojnë sërish në vlera negative deri në -5 gradë.

Pas datës 20 janar deklaroi Porja, temperaturat në këto zona do të shkojnë në nivelet normale për sezonin dimëror. Sipas saj, rritja e menjëhershme e temperaturave do të ishte jo normale, pasi do të sillte shkrirjen e borës, trashësia e së cilës në zonat malore në veri të vendit llogaritet të jetë rreth 1 metër. Shkrirja e borës më pas do të shkaktonte përmbytjen e zonave të Lezhës dhe Shkodrës.

Moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura edhe gjatë ditës së sotme. Deti gjatë ditës së sotme do të jetë i forcës 4 me lartësi vale 3.0 metër. Ndërkohë akset rrugore kanë prani të ngricave në rrugë dhe në veri dhe verilindje kërkohet qarkullimi i mjeteve me zinxhirë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb