Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pasi Siria njohu pavarësinë e Kosovës ditën e sotme, duke u bërë shteti i tretë që bën këtë veprim këtë vit, pas Kenias dhe Sudanit.

Kurti u shpreh mirënjohës ndaj përpjekjeve të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe mbështetjes së Mbretërisë së Arabisë Saudite si një vend mik e partner.

Ai shtoi se nga sot Kosova është e angazhuar që lidhjet mes vendeve të fuqizohen duke ngritur marrëdhënie bilaterale me interesa të përbashkëta dhe partneritete afatgjatë.

“Pas Kenias dhe Sudanit, Siria bëhet shteti i radhës që njeh Kosovën brenda këtij viti. Tre njohje dhe tre partneritete të reja më shumë për vendin tonë.

Për këtë lajm të mirë për shtetin dhe të gjithë qytetarët tanë, i jemi mirënjohës përpjekjeve të suksesshme të Presidentes sonë Vjosa Osmani dhe mbështetjes së Mbretërisë së Arabisë Saudite si shtet mik e partner i Republikës sonë.

Nga sot angazhohemi që lidhjet mes nesh të fuqizohen duke ngritur marrëdhënie bilaterale me interesa të përbashkëta dhe partneritete afatgjatë”, u shpreh Kurti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb