Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Republika Arabe e Sirisë ka njohur pavarësinë e Kosovës. Lajmi është konfirmuar nga vetë Osmani përmes një postimi në rrjete sociale, ku njoftoi se marrëveshja është arritur sot në Riad.

Ajo tha se njohja u bë e mundur me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

“Sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë,” shkroi Osmani.

Presidentja shtoi se kjo njohje është më shumë se një akt formal diplomatik, duke e quajtur “njohje të sakrificës së shumë brezave për liri”.

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë,” theksoi ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb