Në emisionin Log. në News24, avokati Florian Bonjaku ngriti shqetësime për përmbajtjen dhe ritmin e zbatimit të Kodit të Ri Penal.
Sipas tij, kodi përmban 943 vepra penale, duke kriminalizuar edhe sjellje që tradicionalisht nuk janë konsideruar të dënueshme. Ai thekson se kjo mbingarkon sistemin e drejtësisë dhe rrezikon të krijojë kaos ligjor.
Si shembull, Bonjaku përmendi Belgjikën, ku kodi i ri është përgatitur për gati nëntë vjet dhe zbatohet me faza. “Po nxitojmë”, u shpreh ai në News24, duke paralajmëruar nevojën për reflektim dhe rikonceptim.
Avokati Florian Bonjaku: Janë shtuar shumë vepra penale, kjo nuk është diçka e mirë. Kur hartohet një ligj, duhet të njihet tradita popullore. Nëse kthen në vepër penale sjelljet tradicionale, mund të lindin probleme. 943 nene janë shumë, kriminalizohen shumë sjellje shoqërore. Kodi belg është kodi më i ri dhe ka marrë 8 vite e 9 muaj kohë që të përgatitet.
Kur është bërë i plotë kodi në Belgjikë, është thënë se do të zbatohet më 2026, ndërsa në Shqipëri thuhet se zbatimi do të nisë 15 ditë pas botimit në Fletore Zyrtare. Duhen bërë rikonceptimi për procedimet që janë aktive dhe kështu mbingarkojmë sistemin e drejtësisë. Po nxitojmë.
