Avokati Erjon Kanxheri, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka ngritur shqetësime të forta që lidhen me veprimtarinë e administratës tatimore, duke e lidhur funksionimin e saj me presion politik ndaj biznesit.
I pyetur nëse administrata tatimore është përdorur si mjet presioni politik në Shqipëri, Kanxheri dha një përgjigje të drejtpërdrejtë: “Nëse je klient i sistemit, ai të garanton zhvillimin më të mirë dhe nuk ka tatimpagues që nuk do donte ta kishte në planet.”
Sipas tij, situata ndryshon për ata biznese që zgjedhin të zbatojnë ligjin pa hyrë në marrëdhënie klienteliste. “Nëse tatimpaguesi zgjedh të zbatojë ligjin, ai përballet me një sistem jo mbështetës, por goditës dhe me efekte raprezalje”, u shpreh avokati.
Kanxheri theksoi se debati nuk është më nëse sistemi tatimor është partner apo ndëshkues. Sipas tij, realiteti ka treguar diçka tjetër. “Sistemi tatimor ka treguar qartë se është në shërbim. Nuk është as partner, as polic. Është në shërbim të urdhrave, sido që të vijnë ato”, deklaroi ai.
Ai ngriti shqetësimin se kur administrata mbushet me persona që nuk mbajnë pozicionet mbi bazën e meritës, zbatimi i urdhrave bëhet i plotë dhe i orientuar drejt objektivave të caktuara. “Kur sistemi mbushet me njerëz që nuk e mbajnë pozicionin sipas meritave, urdhri i dhënë shkon aty ku është synuar”, tha Kanxheri.
Në përfundim, avokati theksoi se në këto kushte, sistemi tatimor nuk mund të konsiderohet partner i biznesit, duke paralajmëruar për pasoja serioze në klimën e besimit dhe sigurisë juridike në vend.
Erjon Kanxheri: Pasojat për kompanitë procedura e ankimimit administrativ janë bllokimi i fondeve në mënyrë të paarsyeshme dhe krejtësisht jo logjike, tërësisht abusive në shifra të mëdha.
Kemi shumë raste që detyrimi në mënyrë të qëllimshme dhe të shënjestruar rritet për të dobësuar mundësinë e biznesit në cashfloë dhe duke e ankimuar ti do e bllokosh ose do paguash atë detyrim dhe kjo të penalizon aktivitetin, të krijon konkurrencë të panderrshme dhe të falimenton. Dhe nga ana tjetër ankimi tatimor do marrë një vendim si ta cmojë, që shteti do të gjykojë shtetin, ka ardhur koha që kjo të ndryshohet. Nuk mund të gjykojë një punonjës i Financave aktet e organeve tatimore.
