NGA VALENTINA MADANI
TIRANE-Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi dje dokumente që vërtetojnë sipas tij se Fatjon Skënderi, i njohur ndryshe si “Toni i Kombinatit” ka kaluar kaluar kufirin shqiptar nëpërmjet aeroportit të Rinasit në datën 8 shtator 2014, pavarësisht se sipas tij ai ishte shpallur në kërkim po atë ditë për akuzat e “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe për “prodhim e mbajtje e armëve luftarake e municioneve”. Berisha akuzon drejtpërdrejt kreun e Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrin, Edi Rama se ata e kanë ndihmuar Fatjon Skënderin që të largohet nga vendi, personin e akuzuar nga deputeti Tom Doshi si “ndërlidhës” për ekzekutimin e tij dhe të ligjvënësit demokrat, Mhill Fufi. Postimin e tij në “Facebook”, Berisha e shoqëron me tri dokumenta të marra nga sistemi TIMS, ku faktohet se “Toni” është shpallur vërtet në kërkim në datën 8 shtator 2014 por se ai ka dalë nga Shqipëria me autoveturë nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës në datën 7 nëntor 2014 dhe po prej saj ka hyrë në atdhe në datën 9 nëntor 2014.

Gjithashtu bëhet e ditur se “Toni” e ka kaluar kufirin nëpërmjet Kakavijës edhe në datën 27 dhjetor 2014 dhe ka hyrë në atdhe po prej kësaj pike kufitare në datën 30 dhjetor 2014. Pra ndryshe nga sa pretendon Berisha, bazuar në dokumentat e sistemit TIMS të publikuar po prej tij, skandali rezulton të jetë edhe më i madh për shkak se pavarësisht se ishte shpallur në kërkim qysh në 8 shtator 2014, Fatjon Skënderi ka dalë e ka hyrë lirisht në Shqipëri pa u ndaluar nga forcat e policisë.

POSTIMI
Në postimin e tij në “Facebook”, Berisha shkruan se “‘Toni i Kombinatit’, miku i ngushtë i çiftit Meta dhe sekseri i tij në vrasjen e dy deputetëve, më datë 8 shtator ishte shpallur person në kërkim për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë. Po këto dokumenta të sakta shtetërore faktojnë se ‘Toni’ i Metës po atë dite ka kaluar kufirin në Rinas, i regjistruar në sistemin TIMS dhe është nisur për në Gjermani. Me deklaratën e Didit të tyre, Rama-Meta faktojnë se ata mbrojnë me çdo kusht sekserin e tyre, ‘Tonin’ e LSI, akuzuar nga Doshi dhe Bami si sekseri i Ilir Metës në vrasjen e dy deputetëve. Verbëria e avoketërve të ‘Tonit’ shkon deri aty sa ata për të mbrojtur ‘Tonin’ dhe veten e tyre hedhin poshtë të dhënat zyrtare të sistemit TIMS, sistem shtetëror ky për regjistrimin e hyrje-daljeve në kufijtë e Shqipërisë.

Ky sistem që fakton se Policia e Shtetit me shkresen Nr.17618/k dt 08.09.2014, ka njoftuar pikat e kalimit të kufirit se Fation Skënderi është person në kërkim, i akuzuar për veprën penale të ‘vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë’ dhe ‘prodhim dhe mbajtje e armëve luftarake dhe municionet’ dhe për rrjedhojë duhet që i akuzuari të ndalohet në rastin më të parë që ai të gjendet. Sistemi TIMS fakton gjithashu se pavarësisht kësaj, Toni, sekseri i Ilir Metës, pas shpalljes në kërkim, po atë ditë është lejuar të arratiset për në Gjermani nga pika kufitare e Rinasit”, – shkruan Berisha në “Facebook”. Ai shton mandej se “Ilir Meta dërgoi një javë më parë Takun (Spartak Brahon) me torbën e tij të zezë, ku Meta mban kokainën e Gëzim Çelës, për ta kthyer në Shqipëri ‘Tonin’ dhe dëshmuar sipas porosive të shefit të tij duke hequr atë nga lista e kërkimit për vrasje në tentativë dhe dhënë atij çdo garanci që ai kërkon”, – përfundon Berisha.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: