Emisioni investigativ Vetting, News24

Shkeljet e Byberit
Emri aktual i kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexhe Byberi del në qendër të vëmendjes edhe si përfitues i një ndërtimi të ri, që sipas burimeve nga terreni, po ndërtohet pa leje në sipërfaqen ngjitur me godinën e bashkisë. Nëse kalon në atë zonë dhe sheh këtë subjekt, nuk vihet re asnjë tabelë paralajmëruese apo informuese se aty po punohet, cila kompani e ka marrë përsipër projektin, kush e ka kërkuar lejen, sa është financimi etj.

Kjo bie në kundërshtim me ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i cili kërkon të ketë transparencë dhe informacionet rreth ndërtimit të jenë në dispozicion për publikun.

Redaksia kërkoi informacione në lidhje me këtë godinë dhe Bashkia Tropojë u përgjigj se për momentin për këtë objekt është regjistruar një procedim penal dhe çështja ndodhet nën hetim, asnjë detaj tjetër.

Ndërkohë, më 9 shtator të vitit 2024, nga hetimet e kryera në atë kohë, ekzistonin dyshime se kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhe Byberi, në bashkëpunim me zv. kryetarin e asaj kohe, Abedin Kërrnaja, shpërdoruan detyrën e tyre, gjatë procesit për hapjen e rrugës “Stacion i Anijes Palçë-Guri i Lules”.

Kjo rrugë, me një gjatësi prej 3.2 kilometrash, ku 80% e së cilës, kalonte nëpër rrugë ekzistuese është bërë në kundërshtim me ligjin, duke shkaktuar një dëm prej 2.7 milionë eurosh në buxhetin e shtetit.

Në bazë të kësajt, SPAK i caktoi masën për arrest në shtëpi për Rexhe Byberin dhe bashkëpunëtorin e tij, nënkryetarin e bashkisë, Abedin Kërrnaja për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës”. Ama, vetëm një vit më vonë më 1 gusht, GjKKO vendosi shuarjen e masës së sigurimit të tyre, bazuar në kërkesën e dy të pandehurve, duke i caktuar masën “detyrim paraqitje”.

Ndërkohë 10 ditë më vonë, deputeti i zgjedhur në Partinë Demokratike, Klevis Balliu në një deklaratë për mediat denoncoi një rast tjetër korruptiv në Bashkinë e Tropojës, në lidhje me Byberin. Sipas tyre, vetëm një javë pasi lirimit të kryetarit nga arresti shtëpiak, Byberi favorizoi familjarët e tij në një procedurë tenderimi, duke krijuar kësht një konflikt interesi, në dëm të interesit publik por edhe në atë mjedisor.

Ndërkohë, duke u rikthyer pak në kohë, më 21 shtator 2021, në kundërshtim me ligjin, kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhe Byberi do të shpallte “Qytetar Nderi” në një restorant në Tiranë e jo në Bajram Curri, ish-zyrtarin e lartë Charles McGonigal.

Ky i fundit u dënua në shkurt të vitit 2024 nga Gjykata Federale e Uashingtonit me 28 muaj burg, “për shkelje të rëndësi të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarë që mori nga shqiptaro-amerikanët Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë.

Gjetjet e KLSH
Shpesh auditet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë bërë thirrje rreth institucionit të Bashkisë së Tropojës, ku një prej tyre është dhe tenderi për shkollën “Asim Vokshi”, me fond limit 50 milionë lekë. Supozohej që me këto para në këtë gjimnaz, të ndërtoheshin terrene sportive dhe një palestër.

KLSH kallëzoi më 11 nëntor 2021 nëntë zyrtarë të kësaj bashkie për këtë projekt, pasi ishte shkelur barazia e tenderave, duke u fituar pa të drejtë nga kompania “4 AM” e Ardit Metaliajt, pasi u skualifikuan dhe kompani të tjera të cilat kishin paraqitur oferta më të ulëta dhe plotësonin kriteret e kërkuara.

Ky projekt është propozuar nga Zyra Arsimore Tropojë vetëm përmes një relacioni të përgjithshëm, pa studim fizibiliteti, pa analizë funksionale dhe pa asnjë argument se ndërhyrja ishte prioritet emergjent në territor.

Ka qenë vetë kryetari i bashkisë, Rexh Byberi që ka miratuar projektin pa kërkuar asnjë dokument shtesë, duke pranuar një propozim të paplotë dhe duke e proceduar për financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në kundërshtim me ligjin.

Një tjetër shkelje e kryebashkiakut të Tropojës është edhe projekti i rikonstruksionit të pesë segmenteve rrugore në fshatin Grin, Buljan, Cerrnikë dhe Tropojë. Ky projekt ka vlerën e katër milionë eurove, e cila edhe pse ka një shifër të madhe, në infrastrukturë nuk është hedhur ende as shtresa e asfaltbetonit, një përbërës ky mjaft thelbësor për jetëgjatësinë e investimit dhe sigurinë e qarkullimit.

Dhe jo vetëm. Ky veprim nuk është faturuar as nga kompanitë fituese të këtij projekte, “4 AM”, “FLORIDA” sh.p.k., dhe “VLLAZNIMI” sh.p.k.

Lënia e rrugës vetëm me binder e ekspozon të gjithë investimin ndaj dëmtimit të shpejtë dhe e kthen projektin në një rrezik të hapur financiar e teknik. Nga auditi vlerësohet se mungesa e kësaj shtrese ka një dëm ekonomik të mundshëm prej rreth 129 milionë lekësh, duke paralajmëruar se për hedhjen e tapetit në një moment të mëvonshëm do të kërkohet vendosja e një shtrese të re, e cila rrit shumë koston finale të investimit.

Përveç mungesës së shtresës së asfaltit, ka edhe mbifaturim për sinjalistikën rrugore. në terren janë gjetur më pak tabela nga ato që janë faturuar.

Madje punimet kanë kaluar përtej afateve, duke gjeneruar penalitete prej 4.9 milionë lekësh, të cilat Bashkia Tropojë nuk i ka aplikuar. Sipas auditit, kjo tregon tolerim të pajustifikuar në raport me kontraktorin.

Një amendament i datës 28 dhjetor 2021 është firmosur pasi afati i punimeve kishte përfunduar më herët, duke e bërë këtë akt të pavlefshëm ligjor dhe duke treguar shmangie të hapur nga procedurat ligjore.

Kjo praktikë e nënshkrimit të amendamenteve bie ndesh me kërkesat e ligjit dhe përgjegjësia i atribuohet drejtuesve të Bashkisë Tropojë. Raporti i KLSH adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë përgjegjësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë.

Theksohet po ashtu se delegimet janë kryer pa argumentim, pa dokumentim dhe pa respektim të kërkesave ligjore për formën, afatin dhe transparencën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb