NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE– Rektori i Universitetit të Mjekësisë Tiranë ngre shqetësimin se mjekët po braktisin vendin. “Çdo ditë firmos letra për mjekët që bëjnë kërkesë për të ikur jashtë vendit”, – tregon rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata për “Gazeta Shqiptare”, duke theksuar se situata do vijë duke u rënduar, pasi vendi do të mbetet pa mjekë të specializuar.

Po ashtu, rektori i UMT-së, Gjata tregon se drejtuesit e UMT-së dhe dekanët kishin frikë se edhe për specializimet afatgjata në mjekësi nuk do të kishte kandidatë mjaftueshëm për të plotësuar 186 kuotat e miratuara.

“Aq shumë kërkesa mjekësh për t’u larguar kemi, sa në një moment patëm frikë se nuk do kemi mjaftueshëm kandidatë për të plotësuar kuotat e specializimeve”, – thekson Gjata.

Këtë vit, për herë të parë numri i kandidatëve që kanë aplikuar për specializimet në mjekësi është 350, ndërsa vitin e shkuar ishte rreth 900 kandidatë.

Zoti Gjata, sa mjekë kanë aplikuar për të hyrë në garën për specializimet afatgjata në mjekësi dhe kur do dalë lista e kandidatëve?
Këtë vit numri i aplikantëve është rreth 350 kandidatë për 186 kuota që janë miratuar. Pra i bie që gjysma e kandidatëve të shpallet fitues, pasi raporti i bie gati 1 me 2. Sa i përket listës së kandidatëve, ajo pritet të dalë të martën në mbrëmje, pasi po bëhet një verifikim i mesatareve të kandidatëve, sidomos ata që vijnë nga universitetet private, pasi nuk i kemi të dhënat e sakta, ose do të publikohet në 21 dhjetor, pra të mërkurën.

Në krahasim me vitin e shkuar, numri i kandidatëve është shumë i vogël; si është e mundur?
Është numër relativisht i vogël, por, të them të drejtën, ne kishim frikë se mos kishim më pak kandidatë sesa kuota kishim shpallur, pasi mjekët po e braktisin Shqipërinë. Si rektor i UMT-së, çdo ditë firmos letrat e mjekëve që bëjnë kërkesë për të ikur në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani. Prej një jave këtë gjë ia kam deleguar zv.rektorit, pasi kërkesat për të ikur po vijnë në rritje. Kjo gjë duhet parë me përparësi nga politikëbërësit, Ministria e Shëndetësisë, pasi situata do të vijë duke u rënduar, sepse do mbetet vendi pa mjekë të specializuar.

A keni statistika ju si universitet se sa mjekë po largohen nga vendi?
Mund të them se është situatë alarmante, pasi po na ikin më shumë mjekë sesa prodhojmë. Pra na ikin 200 mjekë të rinj, në një kohë që ne po kaq mjekë diplomojmë në Fakultetin e Mjekësisë. Nga të dhënat rezulton se në dy vitet e fundit kanë ikur 400 mjekë, për të mos llogaritur infermierët, që edhe ata kanë një numër shumë të lartë.

Përse po ndodh ky fenomen, profesor Gjata?

E si të mos ndodhë?! Ne mjekët i shajmë, i kërcënojmë, i rrahim! U themi ‘hajdutë’, i paguajmë keq, me 40-50 mijë lekë. Punojnë në kushte të vështira dhe nën presion. Këto janë arsyet përse mjekët e rinj kanë zgjedhur të braktisin vendin, dhe e kanë shumë të lehtë të ikin, pasi dhe procedurat Gjermania i ka lehtësuar për mjekët dhe infermierët shqiptarë; ata mjafton të dinë gjuhën dhe andej japin vetëm një provim për licencim. Në shumë spitale gjermane mungojnë mjekët dhe personeli mjekësor, ndaj specialistët nga jashtë janë gjithmonë të mirëseardhur. Falë ligjit të ri gjerman për njohjen e kualifikimeve të fituara jashtë shtetit, që hyri në fuqi më 1 prill 2012, marrja e lejes për të punuar si mjek në Gjermani nuk lidhet më me shtetësinë e mjekut. Mjekët që shkojnë, mjafton të kenë nivelin e gjuhës B1, apo B2, dhe gjejnë punë menjëherë. Këtë gjë ma konfirmoi edhe ambasadorja gjermane në Tiranë, në një takim që kisha javën e shkuar me të, ku më tha që drejtuesit e landeve në Gjermani janë shumë të kënaqur nga mjekët shqiptarë, pasi janë të dedikuar në punë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: