TIRANE – Dy ditë pasi u përfshi në një konflikt verbal me deputetin Eduard Ndocaj, Altin Jaku nuk do të mbajë më postin e prefektit të Lezhës, pasi Këshilli i Ministrave ka emëruar sot prefektin e ri të Qarkut.
Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, kryeministri Edi Rama ka firmosur emërimin e Eduart Ndrecajt, në postin e prefektit të Qarkut të Lezhës.

“Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8927, datë 25.7.2002, “Për prefektin”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Z. Eduard Ndreca emërohet prefekt i Qarkut të Lezhës.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.”- thuhet në vendimin e Qeverisë.

SHERRI NDOCAJ-JAKU
Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Lezhës, Eduart Ndocaj dhe prefekti i këtij qarku, Altin Jaku, u përfshinë dy ditë më parë në një sherr banal përmes SMS-ve, duke degraduar deri në kërcënime me jetë.

Pas kërcënimit me jetë që mori nga vëllai i ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka, për të cilin njoftoi edhe ambasadën e SHBA-ve, deputeti Ndocaj publikoi të tjera SMS kërcënuese. Ai tha se këto mesazhe i kanë ardhur nga prefekti i Lezhës, Altin Jaku.

Sipas Ndocajt, Jaku e ka kërcënuar me jetë, ndërsa ka publikuar një pjesë të mesazhit që i ka ardhur nga numri 0682064102 në orën 00:15 të datës 6 shkurt, dhe që i përket prefektit të Lezhës.

Në komunikimin përmes SMS-ve, Jaku i drejtohet Ndocajt në dialekt, ndër të tjera me shprehjen “nuk ka Perëndi që të shpëton më. Për këtë ta siguroj. Ke prek aty ku ti s’ke shpëtim”.

Pas kësaj, deputeti Ndocaj i është drejtuar me një letër të hapur, kreut të grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, zv.kryetarit të grupit, Taulant Balla dhe ministres së Arsimit, Lindita Nikollës, në cilësinë e koordinatores së PS-së për Qarkun Lezhë.

“Jam denigruar e kërcënuar nga Altin Jaku, prefekt në detyrë dhe një figurë e rëndësishme e PS-së në Lezhë. Pra, një prefekt në detyrë kërcënon një deputet. Kërkoj, që PS, grupi parlamentar i PS-së të marrin masat disiplinore dhe jo vetëm kundrejt Altin Jakut”, – thuhet në letrën e Ndocajt.

Pas publikimit të mesazhit nga ana e deputetit Eduart Ndocaj, edhe prefekti Altin Jaku ka publikuar versionin e tij të bisedës nëpërmjet mesazheve me të. Ai thotë se gjithë konflikti ka nisur pas një kërkese të tij për fshirjen e një komenti të Ndocajt në “Facebook”.

Më pas komunikimi mes tyre ka degjeneruar në sharje e fjalë banale. “Ndjesë që më duhet të shpjegohem për njerëz si kaubojsi, që ka një vit që vetëm denigron dhe akuzon. Për sqarim për të gjithë ju miq, mund t’ju them se kam replikuar me të me SMS, por në asnjë moment nuk kam kërcënuar, por i kam kërkuar të fshijë një koment që kishte bërë. Më poshtë po ju dërgoj komentin e tij, për të cilin bëhet fjalë, si dhe një pjesë të SMS-ve, ku shihet qartë që kemi qenë duke replikuar dhe asnjëherë nuk e kam kërcënuar. Me jeshile janë fjalët e mia!”, – shkruan Jaku.
jaku, ndocaj

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: