TIRANE – Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe deklaroi se koncesionari GFI po bën shantazh, duke bllokuar punën. Sipas Braçes, koncesionari i markimit të karburanteve rifilloi sot punën, por është ende në negociata me qeverinë.
“GFI po bën shantazh duke bllokuar punën. Duhet të bëjë markimin, por nuk e realizon. Qeveria nuk lejon naftën bruto të pamarkuar në treg.”- deklaroi Braçe.
Një ditë më parë u bllokua furnizimi me karburant i pikave të tregtimit me pakicë. Shkak është bërë konflikti mes koncesionarit të markimit të karburanteve dhe qeverisë. Punonjësit e kompanisë GFI e cila operon në portin e Durrësit, kanë nisur një grevë pa afat duke paralizuar tregtimin e naftës dhe benzinës.
Shkaku i konfliktit ka lindur që me marrëveshjen mes palëve, ku përcaktohej detyrimi se përveç naftës së përpunuar kompania duhej të ngjyroste edhe naftën bruto, një shërbim ky që do t’i sillte kompanisë koncesionare rreth 10 milionë euro të ardhura shtesë në vit.
Dhe meqënëse nuk i është dhënë mundësia e markimit të naftës së papërpunuar firma ka pezulluar pa paralajmërim që prej mëngjesit të së enjtes aktivitetin e tregtimit të naftës.
(er.nu/BalkanWeb)
