Ylvi Beqja, përfaqësues në Shqipëri i kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company” u gjend në vorbullën e debatit publik pas arrestimit të Emiljano Shullazit­një personazh i njohur i botës së krimit, ndërsa prokuroria e cilëson si dëshmitar kyç për zbardhjen e kalimit të 20 për qind të ish­hotel Vollgës në portofolin e të arrestuarit.

I sapokthyer nga Arabia Saudite, Beqja nuk ka dëshmuar ende në prokurori, por shfaqet i qetë në një prej kafeve të shumta të Tiranës. “Dhurimi ishte më e pakëta që mund të bëja,” thotë Beqja për BIRN.

“Shullazi më shpëtoi nga hallet pas vitesh të tëra që përballesha me kërcënime dhe procese të padrejta gjyqësore”.

Përgjatë dekadës së fundit, pronësia e ish­hotel Vollgës ishte kthyer në problemin kryesor të Ylvi Beqes­godina e rrënuar shtrihet mbi një sipërfaqe të gjerë prej 3426 metra katrorë në një prej vendeve më të lakmuara në qendër të Durrësit. E rifituar me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave dhe e shitur tek kompania arabe për 800 mijë euro në vitin 1994, prona u bë më pas objekt i një kalvari të gjatë gjyqësor që ende vazhdon.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania arabe “Saudi Brothers Commercial Company”, e zotëruar nga sheiku Abdulaziz Al Nowaiser e bleu këtë pronë nga Agim Sula, përfaqësuesi me prokurë i
Alije Fortuzit vjeshtën e vitit 1994. Kompania po planifikonte ndërtimin e një kazinoje në qendër të Durrësit në atë kohë, por dështoi të marrë lejen, ndërsa trazirat e vitit 1997 e larguan nga Shqipëria.
Për vite të tëra, ish­hoteli u la në degradim të lirë, por një pretendent

i ri për pronësinë u shfaq në Durrës në vitin 2002. Zanmir Hasa, djali i adoptuar i Alije Fortuzit iu drejtua gjykatës së Durrësit me një padi kundër administratorit të kompanisë arabe dhe Agim Sulës, duke
pretenduar se prokura e përdorur në vitin 1994 për shitjen e pronës ishte e paligjshme. Padia solli një reaksion zinxhir procesesh gjyqësore mes përfaqësuesve në Shqipëri të kompanisë arabe dhe Zamir Hasës, ndërsa shumë konflikte u gjeneruan ndër vite mes palëve. Ylvi Beqja, i emëruar si administrator i “Saudi Brothers Commercial Company” në vitin 2009 i tha BIRN se ishte i bindur që e drejta ishte në anën e tyre dhe se ishte përpjekur për vite të tëra ta gjente atë në dyert e gjykatës dhe prokurorisë, por kishte dështuar. Në intervistën për BIRN, Beqja pranoi se iu drejtua për zgjidhje Emiljano Shullazit pasi ishte i pashpresë. Pohon se gjendej nën kërcënim të vazhdueshëm për jetën e tij dhe të djalit, ndërkohë që haste pengesa të pakapërcyeshme për regjistrimin e pronës në hipotekë.

Pas marrëveshjes me Shullazin, Beqja thotë se “kërcënimet u ndalën, pengesat u shuan dhe rifitova rehatinë e mëparshme”. Emiljano Shullazi u arrestua më 19 nëntor me urdhër të Prokurorisë, ndërsa ishte shoqëruar nga policia si i dyshuar për kërcënimin e kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Prokuroria e akuzoi atë për gjobëvënie ndaj bizneseve të ndryshme, kërcënime me tritol dhe krime të realizuara në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Mes çështjeve nën hetim gjendet edhe rasti i ish­hotel Vollgës, ku Emiljano Shullazi është bërë pronar i 20 për qind të pronës përmes një kontrate dhurimi të firmosur nga Ylvi Beqja. Prokuroria dyshon se kompania “Saudit Brother” është shtrënguar t’i japë 20 për qind të pronës Shullazit. Ylvi Beqja dëshmon për të kundërtën. Në dhjetor 2014, Beqja në cilësinë e administratorit të “Saudi Brothers” i ka dhuruar Emiljano Shullazit “në shenjë mirënjohjeje” 749 metra katrorë truall brenda sipërfaqes ku ndodhet ish­hotel Vollga, sipas dokumenteve që BIRN disponon.

Megjithatë, akti i dhurimit erdhi në fund të një procesi negociatash, marrëveshjesh dhe rezultatesh­të cilat Shullazi rezulton t’i ketë kryer me përpikmëri në favor të kompanisë arabe, para se të shpërblehej prej saj.
(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb