GJIROKASTËR- Dy persona kanë rënë në pranga, pasi akuzohen për vjedhje. Burime nga policia e Gjirokastrës bënë me dije se Qemal Kuçi, 29 vjeç, banues në lagjen “11 Janari” dhe Alvaro Lika, 29 vjeç, banues në lagjen “Industriale” në këtë qytet, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, u arrestuan pas denoncimit të 63-vjeçarit me iniciale P.N., i cili pohoi se ata i kishin vjedhur një shumë prej 1.800.000.
Të njëjtat burime pohuan se dy autorët e dyshuar lekët i kishin marrë në automjetin tip ‘’Toyota’’ me targa AA 531 IV që ishte në pronësi të kallëzuesit, në vendin e quajtur kthesa e “NSHN-së”, në lavazhin në pronësi të Qemal Kuçit. Nga veprimet hetimore rezulton se Kuçi në bashkëpunim me Likën kanë vjedhur këtë sasi lekësh.
Nga ana e Shërbimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1.200.000 lekë të reja. Materialet në ngarkim të këtyre dy shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.
(ed.me/BalkanWeb)
