TIRANE- Historia prekëse e një vajze 16-vjeçare e cila pas divorcit të prindërve nuk e kishte takuar më të atin, u trajtua këtë javë në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” moderuar nga Ardit Gjebrea.

Nëna e Rejnadës, Keti përmes një mesazhi i thotë të bjës se nuk e ndalonte më të takohej me të atin, i tregon asaj si janë njohur, dashuruar si lindi ajo dhe si përfunduan deri tek divorci.

“Unë jam e divorcuar prej 13 vitesh. Ish bashkëshortin tim e kam njohur me shkes, i cili ishte xhaxhai im që ma prezantoi. Unë isha 17 vjeçe në atë kohë, dolëm gati dy javë më pas bëmë fejesën dhe pas disa kohësh martesën. Unë mbeta shtatëzanë. Ai punonte dhe gjërat shkonin shumë mirë. Pasi lindi vajza në vitin 2000, ai filloi alkoolin. Ndoshta ndikoi edhe shoqëria që ai të shkonte në atë gjendje ku vinte në shtëpi i dehur. Kjo gjë filloi të bëhej rutinë dhe e lodhshme.”

Keti tregoi më tej edhe arsyet që e shtynë të merrte vendimin përfundimtar, atë për tu ndarë nga Nazmiu. Sipas saj, ai kishte harxhuar të gjitha kursimet që kishin për të ndërtuar një shtesë.

Keti tregoi më tej se vajza ishte 3 vjeç kur u divorcuan dhe se në 11 vite ishte takuar vetëm 2 herë me të atin. Kur vajza filloi të kuptonte edhe faktin që i ati kishte ndërtuar një familje të re, Keti i ka vendosur një kusht që të mos e takojë pa mbushur 18-vjeç, por sot kur e bija është 16-të vjeç nëna vendos të thyejë betimin.

“Zemra e mamit ti sapo mbushe 16 vjeçe dhe të uroj edhe 100 të tjera. Arsyeja që kam ardhur sot këtu është që shumë herë të kam thënë që pa mbushur 18 vjeç nuk do të kesh mundësi ta takosh babin. Por të kam thënë edhe nga ana tjetër që kurdo që të jesh gati më thuaj. Kur të dojë zemra jote më thuaj të shoqëroj për ta takuar” – i thotë Keti vajzës së saj në studio.

“Mami, ti për mua ke qenë mama, baba, motër, vëlla, shoqe, shok. Më ke plotësuar çdo gjë, ke qenë gjithmonë pranë meje në çdo kohë, ke luftuar në shumë gjëra pavarësisht gjithçkaje nuk të ka penguar asgjë për të vazhduar këtë jetë duke më bërë mua kjo që jam dhe të falenderoj shumë. Ti më ke thënë që mund ta takosh kur të duash. Unë nuk dua ta mohoj si baba, por ai nuk është munduar asnjëherë për të më takuar. Mund të jem gati ta takoj por jo si të gjithë fëmijët që mund të duan të takojnë babain e tyre” – shprehet Rejnada.

Rejnalda ka parë e takuar të atin pas kaq vitesh. Fjalët ishin të pakta mes tyre por emocionet të mëdha. Boshllëku i lënë në vite do kohë të rikuperohet, po ashtu siç tha edhe moderatori Gjebrea, “gjaku nuk bëhet ujë”! Kjo me siguri do ketë qenë dhurata më e bukur që nëna i ka bërë ndonjëherë për ditëlindje.
(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: