Autoritetet shtetërore kanë dënuar ashpër aktin e vjedhjes së flamurit dhe shkatërrimit të stemës së Republikës së Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasburg të Francës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pasi reagoi për sulmin e cilësoi atë një akt i papranueshëm që cenon integritetin e shtetit të Kosovës.

“Republika e Kosovës është shtet sovran që respekton ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare dhe vepron me përgjegjësi në marrëdhëniet ndërkombëtare si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit. Kërkoj nga organet franceze që të zbulojnë dhe të kapin autorët e sulmit dhe t’i nxjerrin ata përpara drejtësisë”, shkruan Haradinaj në Facebook. Po ashtu për sulmin reagoi edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Dënoj fuqishëm sulmin vandal ndaj Institucioneve dhe Simboleve Shtetërore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg. Falënderoj reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë e Institucioneve franceze të sigurisë, që t’i përgjigjen shpejt kërkesës tonë për hetim dhe presim që kryerësit e këtij akti të ulët të nxirren para drejtësisë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze në lidhje me këtë rast”, tha Pacolli.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: