SARANDE- I riu që i iku policisë me pranga në duar 3 ditë më parë për t’u vetëdorëzuar sot në Prokurori ka thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe me akuzat e ngritura ndaj tij për grabitje.
Në një rrëfim për gazetaren e BalkanWeb dhe News24, Shpresa Dine, pak momente para se të vetëdorëzohej, Ermir Idrizllari u shpreh se policia e kishte arrestuar në shtëpi dhe se kishte ikur si pasojë e frikës.
“Erdhi policia me kapi ne shtëpi. Isha bashke me babain. Me prangosen dhe me futen ne makine. Me futen me te dyja duart te lidhura me pranga dhe me lanë aty. Unë nga frika ika. Me mua ishte vetëm një polic por arrita t’i ikja. U largova dhe u fsheha ne një stan afër Konispolit. Ndenja dy dite atje dhe erdha t’i dorëzohem drejtësisë. Kosta Pashaj është komshiu im. Nuk di fare pse akuzohemi te dy, s’kam lidhje fare me ngjarjen që thotë policia”- ka thënë Ermir Idrizllari.
NGJARJA:
Ermir Idrizllari dhe shoku i tij u arrestuan nga policia e Sarandës pasi i grabitën një personi të tretë me dhunë paratë në fshatin Vrinë.
Ai po ashtu në bashkëpunim me shtetasin Kosta Pashaj i kanë marrë me dhunë 30.000 lekë shtetasit F. M.
Në momentin që shoqëroheshin në rajon me fugonin e policisë, Ermir Idrizllari me pranga në duar ka mundur të hapë derën e furgonit dhe të largohet me vrap.
Menjëherë forcat e policisë u vunë në kërkim të tij, dhe vendi i parë ku shkuan ishte shtëpia e Idrizllarit. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Ermir Idrizllarit policia ka gjetur 22 kg hashash. Pas kontrollit në banesën e Ermirit, është arrestuar i ati i tij Mustafa Idrizllari.
(d.d/BalkanWeb)
