Nga: EDLIRA MEMA*
KURBIN – Kushëriri i parë i të plagosurve të familjes Cali, Kanto Cali deklaroi se deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga ka qëlluar me armë në ambientet e komisariatit të Kurbinit, ku mbetën të plagosur 7 persona. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Cali tha se dhe vëllai i Prengës kishte armë, ndërsa sipas tij, polici nuk ndërhyri për të normalizuar situatën.
Ç’mund të na thoni në lidhje me konfliktin e ndodhur mesnatën e së premtes?
Gjithçka e nisi deputeti Armando Prenga. Ai erdhi me makinë në rrugën që shkon për në plazhin e Patokut, poshtë lokalit të kushëririt tim, Gjok Cali. Më pas ai ka qëlluar me qytën e armës kushëririn tim, Gjokën. Kjo mund të verifikohet fare mirë, pasi lokali ka qenë i pajisur me kamera sigurie, të cilat i ka sekuestruar policia në cilësinë e provës. Më pas kushërinjtë shkuan të bëjnë një denoncim në komisariatin e Laçit.
Burime nga policia deklaruan ditën e shtunë se zoti Gjok dhe të afërm të tij i kanë zënë pritë me makinë deputetit Armando Prenga. Është i vërtetë ky fakt?
Absolutisht që nuk është i vërtetë! Të gjitha janë sajesa të policisë.
Çfarë ndodhi më pas?
Në kohën kur kushëriri im Gjoka po jepte dëshminë e tij brenda në komisariat, ndërsa të afërmit e tjerë policia i ka nxjerrë jashtë, në këtë kohë kanë hyrë brenda të afërmit e deputetit Prenga, me në krye vetë Armandon. Ata kanë qëlluar me armë në hyrje të ambientit të komisariatit, konkretisht te porta. Aty ka dhe fakte që është qëlluar me armë, pasi ka pasur gjak gjithandej, kjo është e vërtetuar. Di që është gjuajtur disa herë me armë, pasi aty ka pasur disa të tilla.
Ju po thoni se nuk ka qenë vetëm zoti Prenga i armatosur?
Përveç tij, i armatosur ka qenë dhe vëllai i tij. Nga të shtënat e armëve u plagosën Tom Cali dhe Nikollë Cani, të dy me armë zjarri. Kushërinjtë e mi kanë ndenjur për rreth 15 minuta në ambientet e policisë të plagosur dhe askush nuk i ka ndihmuar. Edhe pse po humbisnin shumë gjak, desh i kanë lënë të vdesin aty. Më pas i çuan me makinë policie në spital.
Zoti Cali, fisi juaj a ka pasur konflikte të hershme me familjen Prenga?
Ne nuk kemi pasur asnjë problem me familjen Prenga dhe s’kemi asnjë tendencë për ngjarjen. Ne ishim në një proces gjyqësor me shtetin. Ndërkohë, policia nuk ndërhyri, por u fshehën nga frika nën tavolina.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
