Një skandal korruptiv është denoncuar sot nga ambientet e QSUT-së. Bëhet fjalë për një operacion të thjeshtë apandesiti, ku një person ka shkuar me urgjencë dhe siç tregon ai që i ka rënë halli, nuk e prekin me dorë pa marrë mjekët e infermieret “racionin” e tyre.

Djali ka arritur të filmojë momentin ku Lonës, njërës prej mjekeve që kishte asistuar në operacion, i ka dhënë 40 mijë lekë, shkruan JOQ. Për të shkuar deri tek ajo, e ka ndihmuar një infermiere, zonja me bluzë të kuqe, e cila e “instrukton” se nga sa para duhet të marrin doktori e më pas anestezistja.

“50 ia dhashë infermieres, 50 asaj të narkozës, 100 doktorit dhe 40 asaj që shikoni dhe në video. Ajo me të kuqe më tha se nëse doktori pyet, i thuaj që nuk kam paguar asgjë. Asaj i dhashë 200. “Ja jap unë të tjerëve më tha. Ajo me të kuqe infermiere është. Mjeku e ka emrin Edmond”, – thotë ndër të tjera qytetari, i cili ka paguar diku tek 250 mijë lekë (pak më shumë/pak më pak) për një operacion të thjeshtë, gjithmonë, në kuadër të shëndetësisë falas.

Pas publikimit të rastit, ‘sekserja’ e skandalit ka kërcënuar me jetë denoncuesin. Vetë personi ka kontaktuar sërish me redaksinë e JOQ, teksa kërkon që të hiqet videoja, duke qenë se infermierja me bluzë të kuqe e ka kërcënuar.

“Më solli 4-5 veta që më kërkuan të hiqet videoja për 10 minuta. Ata po rrinë akoma tek dera e spitalit. Unë nuk di si të dal jashtë”, – thotë personi, i cili shprehet se është realisht në hall.

Për më tepër, infermierja “gangstere”, e cila njihet me emrin Bere, jo vetëm që ka kërcënuar personin hallexhi, por edhe pse është e zhytur për vete deri në fyt, kërcënon bashkëshorten e tij.

“Infermierja dhe mjeku më erdhën të dy në dhomë. Nuk mund t’jua them në telefon se çfarë më thanë. Më thanë dhe që gruaja ime do ketë nevoja të tjera dhe se e gjallë nuk del nga spitali”, – thotë në komunikimin telefonik me gazetaren e JOQ, personi. Ai shton se fisi i infermieres Bere ndodhet ende tek dera e spitalit dhe e kërcënon.

Ndërkohë pas publikimit të video-skandalit ka reaguar drejtoria e QSUT-së, e cila ka shkarkuar dy punonjëset e stafit mjekësor.

“Drejtoria e QSUT reagon menjëherë pas daljes në mediat online, të pamjeve filmike, ku shfaqen dy punonjëse të stafit mjekësor dhe sanitar në shërbimin e Urgjencës Kirurgjikale, në një akt mitmarrje gjatë ushtrimit të detyrës. Drejtoria e Përgjithshme e QSUT-së, njofton se është duke zbatuar procedurat e parashikuara nga dispozitat e Kodit të Punës për zgjidhje të menjëhershme të marrëdhënieve të punës për mjeken E.N dhe sanitaren M.K., ndërkohë që çështja po i përcillet organeve kompetente ligjzbatuese si dhe Urdhërit Profesional të Mjekut për ndjekjen e mëtejshme”, – thuhet në reagimin e QSUT-së

Më tej, Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u bën thirrje të gjithë qytetarëve që marrin shërbime mjekësore në QSUT, që të mos hezitojnë për të bashkëpunuar në raportimin dhe denoncimin e çdo rasti korruptiv, në cilindo nivel të shërbimit spitalor, por harron që vetëm pasi lajmi u bë publik tek JOQ u morën masat ndaj këtyre punonjëseve, e kush e di se sa punonjës të tjerë të ngjashëm ka ky sistem i kalbur, të cilët veprojnë të lumtur nën hundën e drejtorisë, e që nuk merret asnjë masë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: