NGA: DORJANA BEZAT*

TIRANE – Konflikti që ndodhi në aeroportin e Romës, mes deputetit socialist Taulant balla dhe dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha, Jamarber Malltezi përfundon në dyert e prokurorisë.

Mësohet se kallëzimi penal i është dorëzuar prokurorisë nga Policia kufitare Rinas, në kuadër të hetimit për konfliktin verbal e fizik të ndodhur në Romë, në aeroportin “Leonardo Da Vinçi”, konflikt për të cilin është vënë në dijeni dhe policia italiane.

Pas mbërritjes në Rinas, Taulant Balla ka thënë para uniformave blu se është ofenduar dhe goditur nga Jamarbër Malltezi, ndërsa e pranishme në ngjarje ka qenë edhe bashkëshortja e tij Argita Malltezi.

Motivet, sipas tij, janë të paqarta pasi dhuna i ka ardhur pa paralajmërim. Pas marrjes së kallëzimit, policia ka shoqëruar në polici edhe çiftin Malltezi.

Kreu i komisionit për mjedisin në PD, Jamarbër Malltezi nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë para uniformave blu, pasi sipas tij, policia po përdoret politikisht kundra tij. Malltezi ka thënë vetëm se ka qenë i provokuar në veprimet e tij. Për detaje të mëtejshme ai ka deklaruar se do të flasë në një moment të dytë në prokurori.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe bashkëshortja e tij Argita Berisha e cila është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni. Pas dëshmisë Malltezi është lënë i lirë, ndërsa dosja ndaj tij është referuar në Prokurorinë e Tiranës për akuzat “dëmtime të tjera me dashje” dhe “goditje për shkak të detyrës”.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: