PRISHTINE – Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka dhënë 30 minuta pushim dhe kërkoi që shefat e grupeve parlamentare të takohen në mbledhjen e kryesisë, pasi opozita ka bllokuar foltoren e Kuvendit.
Kjo është seanca e tretë ku opozita nuk po lejon mbajtjen e seancës, duke kërkuar tërheqjen e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.
Kuvendi i Kosovës shqyrton sot pikat e papërfunduara në seancën e 17 shtatorit, ndërsa mblidhet nesër në seancë të re, në të cilën do të shqyrtohen kryesisht projektligje.
Në përgatitjet për seancat plenare, në axhendën e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare ishte edhe “pika e papërfunduar nga seanca lenare më 22 shtator 2015: Raportimi i qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015”, por u vendos që të mos jetë në rendin e ditës sot as nesër.
Raportimi për katër marrëveshjet e Kosovë-Serbi në Bruksel ishin në axhendë edhe në seancat e 17 e 22 shtatorit, të cilat u ndërprenë nga protestimet e deputetëve të opozitës. Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, ndërsa në të të dytën që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin.
Para seancave plenare sot dhe nesër, opozita e bashkuar nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ndërsa ka paralajmëruar se do ta pamundësojë funksionimin normal të Kuvendit të Kosovës deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.
Në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve, opozita e bashkuar ka organizuar edhe një peticion, ndërsa ka bërë të ditur se deri tash janë mbledhur më shumë se 100 mijë firma dhe vazhdohet me nënshkrimet në Kosovë dhe në diasporë.
(er.nu/BalkanWeb)
