TIRANE- Tirana renditet si një nga qytetet me ndotjen akustike më të lartë për shkak të shtimit të popullsisë dhe faktorëve të tjerë, por për festat e fundvitit vërehet një rritje akoma më e madhe e këtyre zhurmave.
“Zhurmat e fundvitit”, ishte tema e diskutimit në emisionin “Njerëz në Fokus” të moderatores Ola Bruko në “News24”. Banorët janë shprehur për mikrofonin e emisionit se ligji i zhurmave nuk zbatohet. “Na shqetëson muzika e lartë e lokaleve natën. Kemi vite që ankohemi, por nuk ka asnjë ndryshim”- shprehen qytetarët e kryeqytetit, konkretisht ata të zonës së ish- bllokut.
Të ftuar në studio kanë qenë Enver Halipaj, inspektor ne ISHMP. Toni Beni, shef i Kontrollit të Territorit në Policinë Bashkiake Tirane. Gjovalin Loka, drejtor për Rendin në Policinë e Shtetit si dhe Skënder Brataj, drejtor i QKUM. Ndërkohë nga studio paralele ishte Arben Luzati, kreu i departamentit te shëndetit dhe mjedisit pranë ISHP.
Enver Halipaj, inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve u shpreh se gjatë këtij viti janë kryer 500 inspektime për zhurmat. “Kemi vendosur gjoba ndaj biznese në lokalet në ish bllok dhe në qytete të tjera. ISHP kërkon nga bizneset lejen mjedisore, ku përcaktohet niveli i zhurmës. Kemi konstatuar shkelje në tejkalim të zhurmës në lokale, kryesisht në zonat e ish Bllokut. Sipas ligjit të premten dhe të shtunën orari i lejuar është nga 19:00- 23:30”. -tha ai.
Ndërkohë Arben Luzati u shpreh se “Kemi bërë rreth 60 matje në klubet e natës për ketë vit, dhe kanë rezultuar se shumica janë jashtë normave, por ne japim këshillat tona për të shkuar në nivelet normale. Nivelet e zhurmës nuk duhet te jenë më e lartë se 50 decibel brenda në lokal. Ne marrim rekomandim kur kryejmë studimin”- u shpreh Luzati.
Nga ana tjetër, Toni Beni u shpreh se “Ndotja akustike nuk gjenerohet vetëm nga klubet e natës, por edhe nga pajisje që janë të instaluara në ndërtesa. Kemi mbyllur lokale në bllok dhe në periferi. Nëse një biznes ka leje të tipit C, ne nuk mund të ndërhyjmë. Që të marrësh një leje kërkohet dhe një aprovim nga Ministria e Mjedisit. Kemi dhe një problem tjetër se bizneset na përplasin lejen mjedisore, ndërsa banoret na ankohen për zhurmat”- tha përfaqësuesi bashkisë.
(d.d/BalkanWeb)
