Partia Demokratike akuzoi qeverinë se në Tropojë dhe fshatrat përreth, me dhjetra familje të kthyera nga azili vuajnë krizën e rëndë ekonomike, papunësinë dhe banesat e dëmtuara nga reshjet e këtij dimri. Në fshatrat Babinë, Margegaj, Bujan, e zona të tjera, deputetja e Tropojës Mimoza Hajdarmataj takoi banorët, të cilët i shprehën asaj shqetësimin e madh për heqjen nga lista e ndihmës ekonomike dhe braktisjen e emergjencave civile për ti ardhur në ndihmë me banesat e dëmtuara.
Në familjen e Ibrahim Haxhiaj dhe Astrit Sulaj gratë e këtyre familjeve u shprehën se mungesa e kushteve të strehimit, shoqëruar dhe nga kufizimet e energjisë po rrezikojnë jetën e fëmijëve dhe të moshuarve në kushtet e një dimri të ashpër.
Nënat e këtyre familjeve i thanë deputetetes Hajdarmataj se nuk marrin asnjë përkrahje dhe ndihmë nga qeveria ndërkohë që kryefamiljarët që po kthehen nga azili, po përballen me papunësinë dhe mungesën e të ardhurave. Nga ana tjetër, me dhjetra familje e kanë të pamundur përballimin e çmimeve afrofe të energjisë elektrike.
Deputetja Hajdarmataj tha se braktisja e familjeve në nevojë është një realitet tejet i dhimbshëm veçanërisht në zonat e braktisura të Veriut dhe verilindjes. Ajo tha se qeveria me strukturat përkatëse është inekzistente, ndërkohë që bashkia është e pambështetur nga ekzekutivi me fonde. Zonja Hajdarmataj i bëri apel Shërbimit social, Emergjencave Civile, Ministrisë së Energjetikës, që të mbështesin me masa konkrete dhe skema lehtësimi për energjinë, familjet e pamundura ekonomikisht.
(ed.me/BalkanWeb)
