SHBA– Presidenti amerikan në largim, Barack Obama, është në qytetin Çikago, ku ai do ta mbajë fjalimin lamtumirës, pasi mandati i tij i dytë dhe i fundit, po mbyllet.

Në fjalimin që pritet të mbahet sonte vonë (në orën 3 të mëngjesit sipas kohës tek ne), pritet që Obama t’i trajtojë temat nga fillimi i presidencës së tij, përfshirë edhe idenë se amerikanët kanë më tepër gjëra që i bashkojnë, se sa që i përçajnë.

Barack Obama, 55 vjeç, me gjasë do t’i mbrojë arritjet e presidencës së tij, përfshirë reformën madhore të kujdesit shëndetësor, marrëveshjen ndërkombëtare, që synon ndaljen e programit atomik të Iranit, dhe përmirësimin e raporteve me Kubën.

Të gjitha këto politika janë sulmuar nga pasardhësi i tij, presidenti i zgjedhur republikan, Donald Trump.

Në një video të Shtëpisë së Bardhë, që i paraprin fjalimit, presidenti Obama thotë se e konsideron këtë paraqitje lamtumirëse si një “rast falënderimi për këtë udhëtim të jashtëzakonshëm”, dhe për t’i reflektuar mësimet që i ka marrë gjatë tetë viteve në këtë post.

Presidenca Obama përfundon më 20 janar, kur në shkallët e ndërtesës në Kapitoll në Uashington, inaugurohet presidenti i zgjedhur, Donald Trump.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb