TIRANE- Skënderbeu kualifikohet në grupet e Europa League, duke u bërë kështu e para skuadër shqiptare që kualifikohet në fazën e “Play Off”. Në ndeshjen e luajtur sot, Skënderbeu ka shënuar rezultatin 2 me 0. Golat e shënuar nga Salihi në minutën e 16 dhe nga Progni në minutën 55, e çuan Skënderbeun drejt kualifikimit në turin e 4-t.


Kampionët e Shqipërisë kanë mbyllur me rezultatin 1 me 0 pjesën e parë të ndeshjes me Milsam. Goli është shënuar nga Salihi në minutën e 16. Me nisjen e pjesës së dytë Skënderbeu ka vijuar fuqishëm në kërkim të golit të dytë që do të vuloste gjithçka. Brenda pak minutave nga fillimi i pjesës së dytë kanë shënuar sërish, ku goli i shënuar nga Progni e ka çuar rezultatin në 2-0.

Skënderbeu luajti sot ndeshjen më të rëndësishme, jo vetëm të këtij klubi por dhe të futbollit shqiptar. Për herë të parë një skuadër shqiptare arrin në këtë nivel, dhe një rezultat pozitiv përballë Milsamit do të thoshte minimalisht kualifikim në fazën e grupeve në Europa League, por ëndrra korçare nuk njeh limite, duke shpresuar pse jo dhe në një kundërshtar të lehtë në fazën “play-off” të Champions League.

KUNDËR MILSAM LUHET PËR 6.1 MLN EURO
Fitorja 0-2 në transfertë ka bërë që në kampin korçar të gjithë të jenë të vetëdijshëm se janë vetëm një hap larg kualifikimit, por askush duke nisur nga trajneri Mirel Josa nuk dëshiron të përfshihet nga euforia.

Përballë Milsamit nuk luhet vetëm për të bërë historinë por dhe ekonomi. Një kualifikim i mundshëm do të sillte në arkat e kampionëve plot 6.1 milionë euro, një shumë e padëgjuar, një shumë rekord, që do i mundësonte presidentit Takaj dhe stafit të tij të rimodelojnë objektivat e tyre për të ardhmen. Kjo shumë nuk ka të krahasuar nëse Skënderbeu do arrite të kalonte dhe ndeshjen e “play-off”, në ketë rast përfitimi nga UEFA do ishte plot 14.7 milionë euro, shifra këto të denja për klube pjesëmarrëse në Champions League.

Historia e një epoke të re në futbollit shqiptar pritet të shkruhet mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena”, aty ku organizatorët kanë marrë masat që efekti “Kukësi” të mos përfshijë edhe tifozët e Skënderbeut që pritet të jenë të shumë në numër.

(Erjon Shk./BalkanWeb)

Etiketa: