Mark Markez po dominon sezonin aktual të Moto GP-së, në një kampionat ku pritej një duel për titullin mes pilotit spanjoll dhe Peko Banjajas. Por Markez po i “shkatërron” të gjithë në pistë. Pas garës së Asenit, janë gjashtë fitore për katalanasin dhe një për pilotin nga Torino. Diferenca e pikëve është e tmerrshme, me 307 të Mark Markezit dhe dhe 181 të Banjajas. Një diferencë e tillë është një surprizë e madhe për të gjithë, dhe i fundit që e analizon kampionatin është pikërisht një ish-pilot i Dukatit, Loris Kapirosi.
Italiani e krahasoi situatën e bashkatdhetarit të tij me atë që ai vetë përjetoi kur Kejsi Stoner mbërriti në ekipin italian pothuajse dy dekada më parë. “Sigurisht, një detaj i vogël mund të bëjë një ndryshim të madh. Më ndodhi edhe mua. Në vitin 2006, po luftoja për titullin e kampion në Moto GP, ndërsa në vitin 2007 luftova dhe vuajta shumë me motorin e ri, ndërsa Kejsi Stoner fitoi Kampionatin Botëror. Rasti im ishte ndoshta më i keq se i Pekos, sepse ai po ecën mirë. Ai thjesht duhet t’i përmirësojë pak gjërat dhe të përpiqet ta kuptojë këtë motor”, u shpreh Kapirosi për “GPOne”, ndërsa më tej shtoi:
“Unë besoj te Banjaja, e di që është një pilot i shkëlqyer dhe jam i sigurt se do të kthehet, por është e qartë se rivalët e tij janë të fortë. Aprilia po ecën mirë, Bexeki është vërtet i fortë dhe ditën tjetër e vuri nën presion Markezin. Ka shumë pilotë të fortë… por Peko është mes tyre dhe jam i sigurt se do të kthehet”.
Loris Capirossi ishte një nga pilotët kryesorë në vitet e para të Dukatit në Moto GP, duke përfunduar i treti në Botërorin 2006 dhe duke arritur gjithsej shtatë fitore në kategorinë kryesore me ekipin e kuq. Ai ishte te Dukati nga viti 2003 deri në vitin 2007, ndërsa më pas nënshkroi kontratë trevjeçare me Suzukin, për ta mbyllur karrierën përsëri te Dukati, në ekip me Valentino Rosin. Fatkeqësisht, “Desmosedici” i vitit 2011 ishte një nga më të këqijat në historinë e motorit italian dhe rezultatet e atij sezoni ishin katastrofike.
