Në një njoftim për media, në faqen zyrtare të Korporatës Elektoenergjitike Shqiptare,  raportohet se aktualisht administratori Benet Beci ka mbledhur stafin për të monitoruar dhe inspektuar nga afër situatën në Hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe HEC-et e kaskadës së lumit Drin.

Sipas këtij njoftimi, mësojmë se situata është nën kontroll dhe se shkarkimi nga porta e HEC Vau i Dejës ka një impakt të papërfillshëm, duke bërë të mundur kështu përballimin e situatës së reshjeve të shtuara , të pritshme deri ditën e hënë.

Në Njoftimin e KESH thuhet se :

Përgjatë gjithë ditës së sotme Administratori i KESH, Z.Benet Beci së bashku me stafin e KESH, ka monitoruar nga afër situatën në Hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe Hec-et e kaskadës së lumit Drin, duke u siguruar që Korporata është në gatishmëri të plotë dhe ka marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e prurjeve në ditët në vijim në këtë HEC.

Puna vijon ende në HEC Vau i Dejës ku së bashku me stafin drejtues dhe në koordinim me Sekretariatin Teknik të Komisionit te Posaçëm të Trajtimit të Plotave, dhe në zbatim të Rregullores për shkarkimin e Plotave po menaxhohet orë pas ore situata e prurjeve në kaskadë.

Aktualisht situata mbetet në kontroll të plotë dhe niveli i liqeneve paraqitet si më poshtë:

  • Fierza 281.48 m
  • Koman 173.73 m
  • Vau i Dejës 75.56 m

Prodhimi vijon te jetë me kapacitet të plotë në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës dhe shkarkimet po kryhen vetëm në njërën nga portat shkarkimit të HEC Vau i Dejës.

Momentalisht shkarkimet nga kjo portë arrijnë në 700m3/s ndërsa në HEC Koman 200m3/s , sasi kjo ,me impakt të papërfillshëm në nivelin e ujërave në pjesën e poshtme të Kaskadës, duke bërë të mundur kështu përballimin e situatës së reshjeve të shtuara , të pritshme deri ditën e hënë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: