Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka komentuar sot deklaratën e 5 dhomave të Tregtisë, ku i parashtroheshin disa kërkesa qeverisë, siç ishte reduktimi i pengesave burokratike.

Në një lidhje skype për News24, Malaj tha se këto 5 Dhomat e Tregtisë janë një zë i fortë që duhet dëgjuar.

Sipas Malajt, situata e të bërit biznes në këtë kohë është shumë kritike, ndërsa sugjeroi që ndryshimet sa i takon ndryshimit të taksave duhet të bëhen rrallë dhe jo çdo 6 muaj.

INTERVISTA
Si e konsideroni thirrjen që bëjnë 5 dhoma tregtie ndaj qeverisë?

Është për t’u përshëndetur, pasi biznesi jep 70-80 % të ekonomisë. Fakti që këto dhoma janë bashkuar me Konfindustrian, është mesazh i mirë. Një qeverisje e mirë kërkon që të ketë oponencë. Një biznes që ndjen pasoja, është zë i fortë që duhet dëgjuar dhe ftuar. Ajo që më bën përshtypje nga kjo deklaratë, është se qeveria duhet të orientojë dhe sqarojë paqartësitë. Ata kërkojnë që reforma ekonomike e financiare të mos jetë kaq e shpejtë sa tani. Të kemi një sistem të miratuar në Parlament dhe ndryshimet të jenë të rralla dhe bizneset të bëjnë projeksionet e tyre.

Si është klima e të bërit biznes në vendin tonë?
Fakti që këto 5 dhoma bëjnë këto kërkesa, tregon se gjendja është kritike dhe duhet vlerësuar. Kërkesat e tyre janë imediate. Edhe raportet e SHBA-ve dhe BE kanë qenë kritike, siç ishte mosaplikimi i pasaportave të arta apo amnistisë fiskale që mos të krijohen të çara në ekonominë shqiptare. Këto tregojnë se ka diçka shqetësuese dhe qeveria duhet të reagojë për të plotësuar kërkesat e tyre. Qeveria duhet të ketë platforma ballafaquese. Faktet e fundit që e kanë bërë të pamundur punën e biznesit janë gjobat e pafundme dhe sjellja ndaj ‘Prestige Resort’ e tregon këtë. Gjobat dhe penalitetet do t’i paguajnë taksapaguesit shqiptarë. Dëmi që iu bëhet taksapaguesve është i rëndë. Duhet zgjidhje ligjore dhe jo vetëm debat publik. Duhet të vendoset një nen që çdo ndryshim duhet të paraqitet në SPAK, nëse ka elemente për korrupsion apo të papërgjegjshmërisë që iu rëndon taksapaguesve shqiptarë.

A janë të nevojshëm plotësimi i këtyre kërkesave?
Duhet patjetër të bëhen ndryshime. Rregullat e lojës e taksat nuk ndryshohen në mënyrë spontane. Rishikimi i taksave të bëhet 1 herë në 3 vite. Nuk ndryshojnë çdo 6 muaj apo për arsyeje spontante. Kryeministri ishte para pak javësh në Londër dhe u tha se 4 mld stërlina ishin për projekte. Ato nuk janë fonde të qeverisë, por projekte. Ato janë fonde për të mbështetur bizneset private të Britanisë së Madhe që mund të bëjnë biznes në Shqipëri. Ato nuk janë fonde që i vijnë Shqipërinë, por i kanë bizneset private që zgjedhin se ku do të investojnë.

Është kërkuar marrja e masave kundër ryshfetit dhe transparencë nga institucionet publike, por sa e mundur është kjo?
Lufta kundër korrupsionit nuk është e lehtë. Korrupsioni ‘vrapon si lepur, qeveria lëviz si breshka’. Ajo që dua të theksoj është se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e përhershme dhe jo me valë. Ka një hap drejt sistemit të drejtësisë dhe SPAK ka krijuar atë modelin se nuk ka më të paprekshëm. Qeveria duhet të ketë njohuri të qarta dhe plane po ashtu të qarta. Kërkohet reformë në shërbimet publike, në shëndetësi, arsim, apo te organet tatimore.

Pse askush nuk shqetësohet nga fakti se korrupsioni në Shqipëri përmendet në raportet ndërkombëtare?!
Ne e kemi ngritur zërin për këtë çështje. Partneriteti publik-private janë në dorë të pak duarve. Bëhen pa konkurrencë. Për shkak të korrupsioni tenderat merren me një vlerë të asaj që deklarohet në fillim dhe këtu tregon se nuk ka konkurrencë. Përgjegjësia penale është individuale, dhe morale për qeverinë. Reforma për pensionet në Francë apo e gjyqësorit në Izrael ngritën të gjithë popullin në këmbë për të protestuar.

Prisni reflektim pas kësaj kërkese të bëra nga 5 Dhomat e Tregtisë?
Mendoj se qeveria dhe opozita janë të angazhuara me zgjedhjet. Të shohim së çfarë klime do bëhet pas zgjedhjeve. Nëse qeveria e injoron këtë thirrje, do bëjë gabim të madh. Atëherë ne do të ndodhemi në situatën që biznesi do të tkurret, dhe do të thotë se më pak punë, më pak të ardhura dhe më pak buxhet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb