Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e 24 orëve të fundit lidhur me situatën e zjarreve në të gjithë territorin e vendit, ku nga 21 vatra të raportuara, 6 prej tyre mbeten ende aktive dhe 7 të tjera ndodhen nën mbikëqyrje të rrepta nga strukturat e emergjencës.
Për menaxhimin dhe izolimin e flakëve janë angazhuar 354 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse. Këto ekipe po mbështeten drejtpërdrejt nga 155 efektivë të Forcave të Armatosura, tre automjete zjarrfikëse shtesë, një ekskavator i rëndë, si dhe tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën me dije se kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri të plotë në çdo prefekturë dhe bashki, me prioritet absolut mbrojtjen e jetës, banesave dhe pronës së qytetarëve.
Në Malin e Dajtit vijon operacioni intensiv me mbështetjen e efektivëve të ushtrisë, shërbimit pyjor dhe kapaciteteve ajrore, ku sipas autoriteteve nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara. Një situatë më me ngarkesë paraqitet në Qafë të Helmes në Bulqizë, ku zjarri është riaktivizuar në dy vatra brenda një pylli me pisha të dendura, si dhe në Prozhem të Pukës, ku po ndërhyhet nga toka me mbështetjen e 30 trupave ushtarake.
Në Malin e Çikës, mbi zonën e Palasës, për shkak të terrenit mjaft të thepisur dhe të paaksesueshëm nga toka, operacioni për fikjen përfundimtare po mbështetet nga dy avionët “Air Tractor”. Ndërkohë, në Qarkun e Lezhës, vatra në Shtuf të Mirditës mbetet aktive por me intensitet të ulët, kurse në Shtanë–Tenë situata paraqitet e stabilizuar. Nga ana tjetër, vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë izoluar ose shuar plotësisht dhe po mbahen nën monitorim për të parandaluar çdo riaktivizim nga era.
