Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka ngritur alarmin për situatën e rëndë të krijuar në Gjirokastër dhe në disa zona të qarkut, si pasojë e reshjeve intensive të shiut. Përmes një postimi në Facebook, Shehu shprehet se qyteti është aktualisht i izoluar dhe i bllokuar, ndërsa banorët ndodhen në rrezik.

Sipas tij, Liqeni i Viroit ka bllokuar rrugën nacionale, ndërkohë që prurjet e fuqishme të ujërave nga përroi i Çullës, i Ficos dhe zona të tjera përreth kanë përmbytur pjesë të qytetit. Sasi të mëdha uji dhe materiale inerte kanë ardhur edhe nga Pazari, ndërsa rruga “18 Shtatori” është mbushur me ujë dhe inerte të sjella nga lagjja Granicë, duke e bërë qarkullimin të pamundur.

Shehu thekson se shumë zona në Gjirokastër, si dhe në Lazarat, Dropull, Memaliaj, Këlcyrë dhe rrethina, janë zhytur në errësirë të plotë, një situatë që sipas tij përsëritet sa herë ka reshje shiu ose erë të fortë. Ai e cilëson këtë si një fatkeqësi të paralajmëruar dhe të përsëritur, për të cilën, sipas deputetit, nuk është dhënë asnjë zgjidhje konkrete përmes investimeve në nivel bashkie apo qarku.

Në përfundim, deputeti i PD i bën thirrje strukturave shtetërore lokale dhe qendrore që të ndërhyjnë menjëherë për të stabilizuar situatën e rëndë dhe për të garantuar sigurinë e banorëve të zonave të prekura.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb