Prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole, ka dhënë një përditësim mbi situatën e zjarreve në rajon, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te parku i Prespës, ku aktualisht gjendja paraqitet më e qetë dhe nën kontroll.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë për News24, Jole u shpreh se zjarri në parkun e Prespës po monitorohet me vëmendje, ndërsa në terren janë angazhuar rreth 50 forca për të përballuar vatrat ende aktive.
“Prespa është një zonë me rëndësi të veçantë ekologjike dhe për këtë arsye kemi marrë masa rigoroze për të mbajtur të sigurt kurorën e gjelbër dhe për të shmangur përhapjen e flakëve. Terreni është i vështirë dhe shkëmbor, çka e ka bërë më sfiduese ndërhyrjen, por forcat janë angazhuar që prej ditës së parë në mënyrë efikase,” u shpreh Jole.
Ai shtoi se gjatë javës së fundit, për shkak të temperaturave të larta, janë regjistruar disa raste komplekse zjarresh në qarkun e Korçës. Vetëm javën e kaluar, autoritetet kanë identifikuar 18 persona të dyshuar për zjarrvënie.
Prefekti theksoi gjithashtu se vënia e qëllimshme e zjarrit përbën vepër penale dhe bëri thirrje për kujdes maksimal nga qytetarët për të shmangur aksidente që rrezikojnë jetën, pasurinë dhe mjedisin natyror.
