GREQI-Kryeministri majtist i Greqisë ka kërkuar nga grekët që të refuzojnë kushtet e një marrëveshjeje për ndihmë ndërkombëtare në referendumin e 5 korrikut, duke hedhur poshtë paralajmërimet se vota kundër do ta largonte Athinën nga unioni monetar evropian.

“Nuk mendoj se plani i tyre është që ta dëbojnë Greqinë nga Euro, por që t’i japin fund shpresave se mund të ketë politika të ndryshme në Evropë”, ka thënë kryeministri Alexis Tsipras për televizionin shtetëror grek, raporton Reuters.

Ai tha se sa më e fortë të jetë vota për të refuzuar marrëveshjen e reformave për të gjithë, aq më e fortë do të jetë Greqia në çdo negociatë të mëtejme. Tsipras gjithashtu la të kuptohet fort se ai do të japë dorëheqjen nëse rezultati i referendumit ishte një votë “po”.

“Në qoftë se populli grek dëshiron të vazhdojë me planet shtrënguese, qe do te na bëjnë të mos ngremë kokë kurrë ne do ta respektojmë atë, por nuk do të jemi ne që do ta çojmë këtë plan përpara” deklaroi Tsipras.

(a.n/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: