Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përmes Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Institutit të Shëndetit Publik dhe Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje të shtuar situatën në terren dhe funksionimin e të gjitha strukturave shëndetësore në rang kombëtar, veçanërisht në zonat e prekura nga kushtet e përkeqësuara të motit.
Aktualisht, të gjitha strukturat shëndetësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa ekipet janë të angazhuara në terren për të garantuar ofrimin e pandërprerë të shërbimeve shëndetësore, trajtimin e rasteve urgjente dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale vijon koordinimin e vazhdueshëm me spitalet rajonale, 36 njësitë vendore të kujdesit shëndetësor dhe katër drejtoritë rajonale, përmes raportimeve të përditësuara dhe komunikimit të drejtpërdrejtë, me qëllim garantimin e një reagimi të shpejtë, të koordinuar dhe efektiv të sistemit shëndetësor në çdo situatë.
Në zonat e prekura nga reshjet intensive të shiut dhe dëborës, ekipet shëndetësore po monitorojnë nga afër situatën dhe po ndërhyjnë në kohë reale aty ku paraqitet nevoja, duke siguruar njëkohësisht funksionimin normal të qendrave shëndetësore, pikave ambulatore dhe strukturave spitalore.
Paralelisht, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka qenë në monitorim të vazhdueshëm 24/7, duke koordinuar funksionimin e Shërbimit të Urgjencës Mjekësore në rang kombëtar. Në zonat e prekura nga përkeqësimi i motit janë realizuar 174 misione për transportimin e pacientëve drejt strukturave spitalore dhe 243 misione për trajtim në vendngjarje, pa pasur nevojë për transport.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale siguron qytetarët se strukturat shëndetësore do të vijojnë të jenë në shërbim të tyre me përgjegjësi të plotë dhe me prezencë të shtuar në terren deri në normalizimin e plotë të situatës. Njëkohësisht, u bën thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në zonat me reshje intensive apo vështirësi në terren, duke njoftuar menjëherë ekipet e urgjencës mjekësore në numrin 127 në çdo rast emergjence shëndetësore.
Në rajonin e Tiranës shërbimi shëndetësor vijon të ofrohet normalisht.
Në NJVKSH Durrës, qendrat shëndetësore kryesore raportojnë funksionim normal, pa ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit, si dhe me medikamente emergjence në dispozicion, ndërsa në disa zona, për arsye sigurie dhe aksesueshmërie, shërbimi dhe vaksinimi janë riorganizuar përkohësisht në pika alternative brenda të njëjtës qendër ose në ambulanca të tjera.
Në NJVKSH Kavajë, situata paraqitet e përmirësuar, pa prani uji në qendra apo pika ambulatore, dhe shërbimi vijon me riorganizim të përkohshëm të kartelave dhe ofrimit të shërbimit aty ku ka qenë e nevojshme.
Në rajonin e Elbasanit, si pasojë e reshjeve të shiut dhe dëborës, janë evidentuar vështirësi të përkohshme në qarkullimin rrugor në disa zona rurale, megjithatë shërbimi shëndetësor vijon të ofrohet pa ndërprerje.
Në rajonin e Shkodrës, shërbimi shëndetësor në të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat vazhdon normalisht, me vëmendje të shtuar për NJVKSH Shkodër në zonat me risk të mundshëm, në koordinim me pushtetin vendor.
Në Malësi e Madhe, Pukë, Lezhë, Kukës, Kurbin, Mirditë, Has dhe Tropojë nuk raportohen problematika.
Në rajonin e Vlorës, reshjet e dendura kanë sjellë problematika në disa zona, veçanërisht pranë basenit të lumit Vjosa, duke ndikuar në qarkullimin rrugor dhe lëvizjen e personelit shëndetësor.
Në disa qendra, shërbimi po vijon përmes angazhimit të stafit shëndetësor që banon në zonë, ndërsa raportohen vështirësi për shkak të bllokimit të rrugëve dhe rëshqitjeve të dherave në disa fshatra.
MSHMS shton se në disa zona janë evidentuar ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike, por zinxhiri i ftohtë për vaksinat po mbahet në kushte të kontrolluara.
Në NJVKSH-të e tjera të rajonit, përfshirë Delvinën, Gjirokastrën, Tepelenën, Mallakastrën, Sarandën, Fierin, Lushnjen dhe Përmetin, situata paraqitet përgjithësisht e qetë dhe shërbimi vijon të ofrohet normalisht, nën monitorim të vazhdueshëm.
