Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka lëshuar një paralajmërim të fortë mbi situatën politike në Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar se “Serbia është në prag të luftës civile”, pas më shumë se dy vitesh trazirash të brendshme dhe protestash masive.
Këtë deklaratë, ai e bëri në Forumin Strategjik të Bled-it, teksa diskutonte në një panel me homologun e Sllovenisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Plenkoviç theksoi se realiteti politik në rajon është i ashpër dhe duhet marrë seriozisht nga Bashkimi Europian përpara çdo zgjerimi të mëtejshëm.
“Keni Maqedoninë e Veriut, e cila është e bllokuar. Keni Serbinë me më shumë se dy vite trazira dhe demonstrata të brendshme, në prag të luftës civile. Keni Bosnjë-Hercegovinën me Dodikun, që prej vitesh luan me idenë e shkëputjes. Keni Banjskën e vitit 2023, për të cilën BE nuk artikuloi asnjë qëndrim serioz, a thua se nuk ndodhi. Ky është realiteti”, u shpreh ai
Plenkoviç shtoi se është pro zgjerimit të BE-së, por sipas tij vendet aspirante duhet së pari të stabilizohen politikisht.
“Duhet të jemi realistë për zgjerimin dhe për kontekstin global që po ndryshon. Të gjithë duan të hyjnë në BE, por duhet të kenë stabilitet politik,” tha kryeministri kroat.
Protestat masive në Serbi kanë nisur prej muajsh, pas vdekjes së 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në stacionin hekurudhor Novi Sad.
(BalkanWeb)
