Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) ka lëshuar një seri paralajmërimesh për linjat ajrore dhe pilotët që operojnë mbi hapësirën ajrore të Meksikës, Amerikës Qendrore, Kolumbisë, Ekuadorit dhe pjesëve të Jugut të Amerikës, duke u kërkuar kujdes të shtuar për shkak të “aktiviteteteve ushtarake” dhe rrezikut të ndërprerjeve të sistemeve të navigimit satelitor. Paralajmërimet – të njohura si Notices to Airmen (NOTAM) – janë futur në fuqi më 16 janar dhe do të mbeten në efekt për 60 ditë.

FAA tha se këto njoftime janë për hapësira ajrore specifike mbi Meksikë, zonat e Panamasë, Bogotës, Guayaquil-it dhe rajonet e Oqeanit Paqësor lindor, duke vënë në dukje se rreziqet mund të ndikojnë avionët në çdo lartësi gjatë fluturimit, mbërritjes apo nisjes. Agjencia e përshkroi situatën si “potencialisht të rrezikshme” për operacionet civile ajrore.

Paralajmërimet vijnë në një kohë tensioni në rajon, pas rritjes së aktivitetit ushtarak të SHBA-së në Karaibe dhe përreth Venezuelës – përfshirë një operacion në të cilin u kap Presidenti venezuelian Nicolás Maduro – dhe deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump për mundësi të veprimeve ushtarake edhe ndaj trafikut të drogës në Meksikë dhe vende të tjera.

Sipas zyrtarëve, paralajmërimi synon të sigurojë që linjat ajrore të jenë të vetëdijshme për situatën në zhvillim dhe të marrin masa paraprake për sigurinë e udhëtarëve dhe ekuipazheve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb