Banorët e zonës së Kënetës në Durrës janë përballur sot me përmbytje të konsiderueshme si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, duke përshkruar një situatë të rëndë dhe problematike për jetesën e përditshme.

Duke folur për News24 dhe gazetarin Osman Stafa, banorët thanë se uji ka pushtuar banesat, oborret dhe rrugët, ndërsa lëvizja është bërë pothuajse e pamundur. Sipas tyre, niveli i ujit në disa shtëpi ka kaluar një metër.

“Situata sot ka qenë shumë e vështirë. Ka pasur shumë shi dhe nevojiten zjarrfikëse me pompa për të larguar ujin nga oborret. Nuk kemi çuar fëmijët në kopsht,” u shpreh një banor.

Një tjetër banor tha se përmbytjet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe se ndërhyrjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultat. “Nuk dimë çfarë të bëjmë, kërkojmë ndërhyrje nga shteti. Kanë ardhur përfaqësues të bashkisë, por gjendja mbetet e njëjtë. Jemi përpjekur ta ndalim ujin me thasë,” tha ai.

Një banor tjetër përshkroi dëmet e mëdha të shkaktuara nga përmbytjet. “Mbi një metër ujë ka nëpër shtëpi. Më është përmbytur banesa dhe rruga nuk kalohet as me makinë. Asnjë nuk ka ardhur të ndihmojë. Sot jam i detyruar të qëndroj jashtë shtëpisë sime. Janë përmbytur familje dhe biznese,” deklaroi ai.

Zona e Kënetës konsiderohet një nga zonat më problematike të Durrësit sa herë ka reshje intensive. Banorët u bëjnë thirrje autoriteteve lokale dhe qendrore për ndërhyrje të menjëhershme, pasi situata vijon të mbetet e vështirë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb