Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar bllokimin e rrugëve në njësinë administrative Kukur, në bashkinë Gramsh, duke lënë të izoluar pesë fshatra. Situata më problematike paraqitet në fshatin Rovjë, ku trashësia e dëborës arrin deri në 70 centimetra, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve. Prej më shumë se 24 orësh, nëntë fshatra të njësisë Kukur kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa për shkak të bllokimit të rrugëve është pezulluar procesi mësimor në 6 shkolla.
Gazetari Shkëlzen Henkoja raporton se, nga komunikimet telefonike me banorët e zonës, konfirmohet se as linjat e furgonëve nuk kanë mundur të qarkullojnë, duke izoluar plotësisht komunitetin dhe duke vështirësuar furnizimin me ushqime dhe shërbime bazë.
Banorët e fshatit Rovjë apelojnë për ndërhyrje urgjente nga autoritetet, për hapjen e rrugëve dhe rikthimin e shërbimeve, ndërsa deri në këto momente nuk është marrë asnjë masë konkrete nga institucionet përgjegjëse. Situata mbetet shqetësuese dhe kërkon reagim të menjëhershëm për të shmangur përkeqësimin e kushteve të jetesës në këtë zonë të thellë rurale.
