Ministrja e shtetit për të Rinjtë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ka kërkuar ndjesë për një reagim të sajin para mediave, kur teksa u pyet për ngjarjen e Fierit, u largua duke thënë se “nuk ka kohë”.

Ajo shkruan se është e prekur për tragjedinë e Fierit dhe se detyra e saj institucionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve dhe studentëve. Ndaj thotë ajo, nuk iu ka dukur e udhës të japë një opinion personal mbi fusha të tjera specifike. Ajo shkruan më tej se vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njëri-tjetrin.
Postimi i Bora Muzhaqit:

Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune.
Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet.

Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja.

Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb