Lajmet e orëve të fundit që vinë nga Kosova janë të trishta, sa i përket rezultatit të kandidatëve në zgjedhjet e përgjithshme. Shumë përvetësime dhe anomali skandaloze mes kandidatëve. Miti i zgjedhjeve model tashmë i përket historisë së dëlirë të Kosovës. Shpresa e madhe publike ishte që pas bllokimit shumë mujor të mosfunksionimit të parlamentit, procesi zgjedhor i fund-dhjetorit do të mbyllej me shpejtësi dhe se Kosova do të kish një Kuvend të konstituuar, të paktën në fund të janarit.
Por, ndërsa më parë KQZ-ja vendosi që në 10 komuna (Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu) të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve dhe në 28 të tjerat vetëm 10%, tashmë duhet rinumëruar edhe tek ato në masën 100%. Devijimi nuk është te votat e subjekteve por te deputetët. Një dorë e padukshme e sprovuar, por t’i qëndrojmë larg konspiracionit, i ka volitur që të ketë amulli dhe ka zgjedhur madje dhe personazhet.
E idhët arsyeja pse ka mospërputhje deri paradoksale me disa kandidatë si Fetah Paçarizi dhe Nait Hasani, nga Partia Demokratike e Kosovës, që rezultojnë me mijëra vota më shumë sesa u takonin gjatë numërimit fillestar! Pa përfshirë të tjerët. Tashmë njerëzit megjithëse flitet për procesin e kanë harruar aktin sublim të votimit, sak atë që Kosova, qoftë dhe nga goja e Kurtit, por edhe e paraardhësve të tij, interpretohej si model kosovar i demokracisë zgjedhore. Devijimet te Vetëvendosja, por përvetësimi i votave sidomos tek PDK-ja dhe të tjerët, paçka se po thuhet se është makinacion i brendshëm, në fakt shpërfaqin shenjat e krizës së thellë demokratike.
E padukshme, por ajo është tashmë e futur në ashtin e brishtë të shtetit të Kosovës, pasi ka dyshime të ndërfutjes në nivel kombëtar. Në fund, kjo “skemë procedurale” e devijuar, në thelb do çoj në bllokimin dhe zgjatjen e re të krijimeve institucionale. Është e pakët të themi se çfarë do të thonë vonesat në Kosovë, qoftë për pagat e punonjësve të thjeshtë prej buxhetit, por edhe dokumentet që duhet të ratifikohen për të marrë fondin që i takon Kosovës nga Samiti i Shkupit. Tirana, Beogradi dhe Shkupi po ecin me hapa të shpejtë për t’i përshtatur ato me projektet në ekonominë e tyre. Nuk po përmendim milionat që humben për çdo ditë pa institucione. Shqetësimi publik u provua dhe tashmë do të kalohet në rinumërim të përgjithshëm ngaqë deformimi i votës është i dukshëm. Jo më kot, koalicioni i organizatave që monitoroi procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) bashkë me shumicën e partive të mëdha shqiptare në Kosovë e kërkoi me insistim kthimin e procesit, pasi çuditërisht u pa gjatë rinumërimit dallime të mëdha në votat për kandidatë për deputetë. Hajnia ka ndodhur përmes vetë partive dhe kjo është vërtetë shqetësuese. Mes të tjerëve, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas rinumërimit të pjesshëm të votave të kandidatëve, duke pohuar se procesi ka nxjerrë në pah një skemë manipulimi me përmasa shqetësuese ndaj votës së qytetarit. Njësoj, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i cilësoi “tepër shqetësuese” mospërputhjet e zbuluara gjatë rinumërimit të pjesshëm të votave, paçka se formacioni i tij është i mbathur me probleme. Dhe, po ashtu edhe Lumir Abdixhiku, udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili është në proces dorëheqje, po e pranoi partia!
Në fakt, shqetësimi për zgjedhjet në Kosovë ka ardhur, pasi prej vitesh ose me zbehjen e pranisë së huaj, janë ngushtuar hapësirat e demokracisë dhe këmbët e shtetit të Kosovës për të mbajtur këtë barrë. Problemet demokratike hasen në çdo moment. Kosova në hapat e para të shtetformimit po mbahet më shumë mend për krizat e njëpasnjëshme. Nisën qysh nga viti 2010 me Vendimin për Fatmir Sejdiun dhe rrëzimin e Qeverisë asokohe, kur Gjykata Kushtetuese konstatoi se Presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, shkeli Kushtetutën pasi ishte në të njëjtën kohë edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës! Pak muaj më vonë, Kosova do përballej në vitin 2011 me rastin e Presidentit të 36 ditëve. Behgjet Pacollin, kryetari i AKR-së, u zgjodh president të vendit, në një seancë të kontestuar, pa prani të opozitës dhe me procedura të dyshimta. Kushtetuesja e gjykoi se zgjedhja e Pacollit ishte antikushtetuese. Por ajo që ndodhi në vitin 2014 ishte më tepër se shqetësuese, kur një koalicion paszgjedhor i emëruar si VLAN (VV, LDK, AAK, Nisma) sfidoi partinë fituese të zgjedhjeve të 2014-së, PDK-në e Hashim Thaçit.
Madje, arriti të krijonte dhe institucionet pa të. Arritën që Isa Mustafën e LDKsë ta zgjidhnin si Kryetar të Kuvendit. PDKja iu drejtua Kushtetueses dhe gjeti justifikimin se e drejta ekskluzive e propozimit të Kryetarit të Kuvendit dhe të drejtën që herën e parë ta kishte mandatarin për qeveri e bllokoi VLAN-in dhe formoi një koalicioni qeverisës mes PDK-së dhe LDK-së, me Isa Mustafën Kryeministër. Vitet 2025-2017 do të mbahen mënd për Gazin lotsjellës, Demarkacionin dhe Asociacionin. Opozita e udhëhequr nga Albin Kurti përdori gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit për të penguar marrëveshjet për Demarkacionin me Malin e Zi dhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Vetëm kronikat e asaj kohe do të tregojnë tollovinë dhe tmerrin e aulës së parlamentit të në Kosovë që bëheshin të pamundura prej VV-së. Më 2020, vijoi përplasja mes VV-së dhe LDK-së, i arritur pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. Qeveria Kurti u rrëzua me mocion mosbesimi nga partneri i koalicionit, vetëm 50 ditë pas marrjes së mandatit. Pas kësaj, LDK formoi një qeveri të re me disa parti opozitare, AK e NISMA, shtuar me ato të komuniteteve, por pa zgjedhje të reja.
Ishte radha e VV që të kundërshtonte këtë veprim në Kushtetuese. Në dhjetor 2021, Gjykata vendosi që vota e një deputeti të dënuar me burg me kusht ishte e vlefshme për formimin e Qeverisë Hoti dhe çoi vendin sërish në zgjedhje të parakohshme. Dhe, ja ku jemi sot. Viti 2025 do mbahet mënd për Bllokadën disamujore në Kuvend, pasi VV-ja insistoi në dhjetëra seanca që Albulena Haxhiu të zgjidhet Kryetare e Kuvendit. Zgjidhja nuk u gjet as pas aktgjykimit të Kushtetueses. Dhe, mbërritëm në krizën e momentit, kur Kosova i duhet të rinumërojë të gjitha votat e kandidatëve, sepse hajnia tashmë ka ndodhur mes vetë partive dhe komisionerëve të tyre, fajtorë të paimagjinueshëm prej numrit të votave të devijuara. Kosova është vazhdimisht në interpretime procesesh dhe vakumesh, jo thjesht se Demokracitë e reja në Evropën e Lindjes përballen me sfida, porse në rastin e Kosovës nuk e kuptojnë ende vështirësinë dhe konjukturat e mbajtjes së Kosovës.
Fatkeqësia është nga mentaliteti i hajnisë (strukturave zgjedhore, që zgjedhjen deputet e kanë gati sprovë jete!), i cili nuk do t’ia dijë për faktin se votuesi kosovar është bërë si Sizifi, voton, voton dhe voton sërish pafund. Shqetësimi është jo thjesht tek akti kriminal në vetvete i devijimit dhe përvetësimit të votës, por tek ambienti i tolerancës institucionale që po e bën atë të mundshëm. Por, edhe kulturës politike për të qenë medoemos deputet. Urojmë që Kosova të ketë maturinë e duhur ta kalojë, por duket se problemi është antropologjik politik si i Tiranës me numërimin. Votuesi hedh votën, por vota e tij në demokraci devijohet për njerëz që nuk i përfaqësojnë, sepse kështu do dikush… që nuk duket. Ndaj janë në atë nivel përfaqësimi legjislaturat e Kosovës dhe Shqipërisë. Duket se mësimi i Stalinit është deviza e tyre: “Ata që votojnë nuk vendosin asgjë. Ata që numërojnë votat, janë ata që vendosin gjithçka”. (Homo Albanicus)
