Pas refuzimit të kërkesës nga Apeli i Posaçëm për lehtësimin e masës së sigurisë, Ilir Meta ka reaguar me një postim në Facebook, ku e cilëson vendimin si pjesë të një “telenovele drejtësie me regji”.
Meta falenderoi avokatin e tij Kujtim Cakrani për përpjekjet në sallën e gjyqit, duke thënë se ai “harxhoi dy orë frymë për ata që nuk kanë as veshë për të dëgjuar dhe as integritet për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin”. Ai shton se “edhe muret dëgjojnë”, duke theksuar se gjithçka është regjistruar si pjesë e një procesi që, sipas tij, është nën kontrollin e SPAK-ut dhe i dirigjuar politikisht nga Partia Socialiste.
Në deklaratën e tij, Meta akuzon SPAK-un se vepron me urdhra të marra “nga tribuna e Asamblesë së PS-së”, ndërsa shprehet se “as kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë”.
Ish-Presidenti thekson se është gati për përballje në gjykatë dhe pret me padurim fillimin e procesit për të “zbuluar të vërtetën para gjithë Shqipërisë dhe botës”, duke përmendur sërish çështjen CEZ-DIA, për të cilën ai pretendon se është rikthyer për shantazh politik ndaj tij në kohën kur ishte President i Republikës.
Ai mohon çdo përpjekje për të intimiduar dëshmitarë dhe për të fshehur prova, duke akuzuar kundërshtarët politikë për këto veprime. “Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për një drejtësi që nuk ka lidhje me shtetin e së drejtës,” shkruan Meta.
