Silvinjo (trajneri aktual i kombëtares së futbollit), De Biazi (ish-trajneri i kombëtares së futbollit), dhe Albano (këngëtari i famshëm italian) janë aktualisht shtetas shqiptarë – për të vazhduar më tej me Lorik Canën, Berat Gjimshitin, si dhe shumë sportistë e artistë të tjerë.
Po përtej emrave të njohur, janë edhe mbi 420 mijë shtetas shqiptarë jo dhe aq të famshëm, që me të famshmit e mësipërm kanë të përbashkët lindjen jashtë Shqipërisë (Grafik 1, poshtë).

Shumica dërrmuese e këtyre 420 mijë shtetasve shqiptarë të lindur jashtë Shqipërisë u regjistruan në Gjendjen Civile pas vitit 2011. Shkaku kryesor i regjistrimit masiv: Stimuli i ‘bonusit të bebes’ – për çdo fëmijë të lindur nga shtetas shqiptarë, shteti paguante një ‘bonus bebeje’ (pavarësisht se mund të lindnin jashtë vendit).
Një shkak tjetër ka qenë marrja e nënshtetësisë shqiptare nga mijëra bashkëkombës tanë të lindur në trevat shqiptare përrreth (për arsye lëvizjeje pa viza në Europë ose për arsye patriotike).
Po sa nga 4.28 milionë shtetasit shqiptarë të lindur në Shqipëri banojnë aktualisht këtu? Sipas INSTAT-it, rreth 2.35 milionë. Pjesa tjetër (1.93 milionë) banojnë jashtë Shqipërisë (Grafiku 2, lart). Për krahasim, nga regjistrimi i popullsisë së vitit 1989, rezultoi se banonin këtu 3.18 milionë shtetas të lindur në Shqipëri.
Pra për 36 vjet kemi patur një rënie me 26% të popullsisë banuese në vend.
Në qoftë se llogarisim vetëm 4.28 milionë shtetasit shqiptarë të lindur në Shqipëri, rreth 45% e tyre banojnë aktualisht jashtë vendit. Më 2011 kjo përqindje ishte 34%, më 2001 ishte 24%, dhe më 1989 ishte vetëm 1% (Grafiku 3, poshtë).

Periudha 1989-2001 ishte më intensivja e emigrimit – plot 917 mijë shtetas të lindur në Shqipëri u larguan nga vendi (pothuaj gjysma e totalit të të larguarve).
Më pas ritmi i emigrimit ra – në periudhën 2001-2011 u shtuan 495 mijë emigrantë të tjerë (mbi çereku i totalit të të larguarve) dhe në periudhën 2011-2025 u shtuan edhe 488 mijë të tjerë (çereku i totalit të të larguarve – shihni Grafiku 4, lart).
