Kryeministri Edi Rama është vënë në qendër të kritikave për mënyrën se si komunikon me publikun, veçanërisht gjatë sezonit turistik, duke u akuzuar se fokusohet te publikimi i pamjeve të bukurive natyrore dhe arritjeve të sektorit privat, në vend që të evidentojë punët dhe përgjegjësitë që i takojnë qeverisë. Në një deklaratë, anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari kritikon Ramën për publikimin e shpeshtë të pamjeve nga perëndimet dhe lindjet e diellit, detet, malet, liqenet dhe destinacionet turistike, ndërsa ngrihet pyetja se përse nuk shfaqen në të njëjtën mënyrë projekte apo zgjidhje konkrete që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit.

“Është ndoshta e paprecedentë se si Kryeministri ynë sillet e propagandon sezonin turistik. Çdo ditë ai publikon një muzg, një perëndim, një pragmbrëmje ose një agim dielli, në det, male apo fusha”, thuhet në deklaratë.

Kritika vijon duke evidentuar mungesën e publikimeve për çështje që lidhen me përgjegjësitë e drejtpërdrejta të qeverisë, si vënia në funksion e impianteve të përpunimit të ujërave të zeza, zgjidhja e nyjeve kritike të trafikut apo rritja e sigurisë ushqimore.

“Ne ende nuk kemi parë të na tregojë Kryeministri vënien në punë të një impianti të përpunimit të ujërave të zeza. Apo zgjidhjen e një nyje kritike të trafikut. Apo rritjen e sigurisë ushqimore”, thuhet më tej.

Ai ironizon edhe mënyrën e komunikimit të kryeministrit, duke e cilësuar si “sjellje si publicist në vitin e 13-të të qeverisjes”, ndërsa ngrihen akuza se Rama është aktiv kur bëhet fjalë për vendimmarrje qeveritare. “Sjellja si publicist në vitin e 13-të të qeverisjes është tallje e madhe. Kjo nuk do të thotë aspak se artisti me atlete arratiset nga punët e rëndomta të qeverisë. Kur është fjala për leje, licenca, koncesione e dorovitje tenderash, ai është aty full time. Nuk i shpëton gjë. E vetmja ikje që bën është ajo nga përgjegjësitë për dështimet”, thuhet në deklaratë.

Reagimi i plotë

Dielli lind e perëndon vetë, punët e qeverisë të takojnë ty

Është ndoshta e paprecedentë se si Kryeministri ynë sillet e propagandon sezonin turistik. Çdo ditë ai publikon një muzg, një perëndim, një pragmbrëmje ose një agim dielli, në det, male apo fusha.

Pas çdo dite që mbaron dhe me nisjen e një të reje fshihet dora e tij. Ky krijues u sjell shqiptarëve dritën në tokë dhe ua merr në darkë për ta risjellë të nesërmen.

Po ashtu, ai publikon bukuri natyrore, maja, lugina, liqene, gjire, që është gati të thotë se nuk ekzistonin para 2013.

Nxjerr arritje të sektorit privat, të plazheve apo hoteleve që kanë ngritur njerëzit me punë.

Pra, gjithçka që nuk ka lidhje me qeverinë e me punët e tij. Këtë metodë e ndjekin dhe të tijtë. Dhe Taulanti na flet shpesh me zgjime e perëndime.

Ne ende nuk kemi parë të na tregojë Kryeministri vënien në punë të një impianti të përpunimit të ujërave të zeza.

Apo zgjidhjen e një nyje kritike të trafikut. Apo rritjen e sigurisë ushqimore.

Elemente që lidhen me atë çka duhet të realizojë një qeveri.

A thua se këto nuk janë në tagrin e përgjegjësinë e tij.

Sjellja si publicist në vitin e 13-të të qeverisjes është tallje e madhe.

Kjo nuk do të thotë aspak se artisti me atlete arratiset nga punët e rëndomta të qeverisë. Kur është fjala për leje, licenca, koncesione e dorovitje tenderash, ai është aty full time. Nuk i shpëton gjë. E vetmja ikje që bën është ajo nga përgjegjësitë për dështimet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: