Gjatë ditës së sotme, sheshi përpara Kryeministrisë është pushtuar sërish nga qytetarët në kuadër të protestës masive që kërkon largimin e Edi Ramës dhe kabinetit të tij qeveritar. Ndër zërat e shumtë që kanë elektrizuar turmën, ka qenë edhe fjalimi i protestuesit Arben Kola, i cili ka lëshuar akuza të ashpra politike dhe i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë forcave të rendit.
Kola e nisi fjalën e tij duke sqaruar orientimin gjeopolitik të lëvizjes qytetare, duke theksuar se revolta është thjesht kundër pushtetit aktual.
“Ne nuk jemi as kundër Europës, as kundër Amerikës, ne jemi kundër klikës,” deklaroi Kola duke drejtuar gishtin nga ndërtesa e Kryeministrisë.
Më tej, protestuesi bëri një kontrast të fortë mes shpenzimeve të qeverisë dhe kushteve të vështira në të cilat punojnë efektivët e thjeshtë të Policisë së Shtetit, duke u bërë thirrje këtyre të fundit që t’i bashkohen kauzës.
“Ndërkohë që kryeministri harxhon 33 mijë euro me Ergys Agas e kriminelë të tjerë, policët punojnë në kushtet e viteve 97-98. Kushtet janë mizore! Prandaj policë ne jemi edhe për ju këtu në shesh!” u shpreh ai.
Kola u dërgoi një mesazh të qartë forcave të rendit që të mos ushtrojnë dhunë apo presion mbi brezin e ri, duke paralajmëruar se revolta e tyre mund të eskalojë nëse provohet përtej limiteve.
“Mos shantazhoni të rinjtë! Sepse rinia është duke vluar! Kjo rini po kërkon me ju tërheq zvarrë dhe ne kemi thënë jo. Kjo protestë do jetë paqësore deri në fund, por edhe fundi do e ketë një limit!”
Ai u bëri thirrje efektivëve të policisë që të mos binden verbërisht ndaj eprorëve të tyre, pasi sipas tij, drejtuesit e policisë janë të inkriminuar dhe të zbuluar nga agjencitë e huaja, ndërsa tha se ata që duhet të arrestohen janë Edi Rama e Belinda Balluku.
“Si një prind i dy fëmijëve do u them të mos zbatojnë urdhrat e shefave të policisë. E dimë që shumica kanë dalë në përgjimet e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë. Ne e dimë që kanë dalë! Prandaj populli nuk ka besim dhe mos abuzoni. I vetmi kryekriminel qe duhet te arrestohet edhe Edi Rama me Belinda Ballukun dhe ministrat e tij, Bajram Begaj edhe Sali Berisha”, tha ai.
