Presidenti Donald Trump duke folur në bordin e Air Force One me gazetarët u shpreh se “diçka do të ndodhë” nga takimi i tij me Vladimir Putin në Alaska.

Ai dha gjithashtu një ide se si mund t’i qasej bisedimeve, ndërsa sugjeroi se qëndrimi i tij mbi garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën mund të ketë ndryshuar.

Presidenti tha gjithashtu se, pavarësisht se delegacionet amerikane dhe ruse në samit dukeshin të orientuara drejt interesave të biznesit dhe ekonomisë, përparësia e tij është të arrijë një marrëveshje për luftën përpara se të kalojë në fusha të tjera.

SHBA-të mund të përfshihen në garancitë e sigurisë për Ukrainën

I pyetur nga një gazetar në lidhje me garancitë e sigurisë për Ukrainën, Trump thotë se SHBA-të mund të jenë të përfshira, “së bashku me Evropën dhe vende të tjera”.

Por ai shton se kjo nuk do të jetë në formën e anëtarësimit në NATO për Ukrainën, duke thënë se ka “disa gjëra që nuk do të ndodhin”.

“Por po, së bashku me Evropën, ekziston mundësia e kësaj,” shton ai.

‘Nuk do të bëjmë biznes derisa të zgjidhim luftën’

Lidhur me shanset e arritjes së marrëveshjeve tregtare nga samiti, Trump pretendon se Putini “dëshiron një pjesë” të ekonomisë dhe biznesit amerikan.

«Vërej se ai po sjell shumë biznesmenë nga Rusia dhe kjo është mirë, më pëlqen kjo, sepse ata duan të bëjnë biznes, por ne nuk do të bëjmë biznes derisa të zgjidhet lufta», thotë ai.

‘Mendoj se kjo e dëmton atë’

Putin mendon se sulmet e vazhdueshme kundër Ukrainës “i japin forcë”, thotë presidenti amerikan, por u shton gazetarëve: “Mendoj se kjo e dëmton”.

“Mendoj se po përpiqen të negociojnë, në mendjen e [Putinit] kjo e ndihmon atë të bëjë një marrëveshje më të mirë. Por në të vërtetë e dëmton… por do të flas me të për këtë më vonë”, thotë Trump.

A mund të diskutohet për shkëmbime territoresh?

Shkëmbimet territoriale “do të diskutohen, por unë duhet ta lejoj Ukrainën ta marrë këtë vendim”, tha Trump.

“Mendoj se do të marrin një vendim të duhur”, shton ai.

“Por unë nuk jam këtu për të negociuar për Ukrainën, jam këtu për ta bindur atë në tryezën e bisedimeve.”

“Mendoj se keni dy palë… shikoni, Vladimir Putin donte të merrte të gjithë Ukrainën. Nëse unë nuk do të isha president, ai tani do ta merrte të gjithë Ukrainën, por nuk do ta bëjë.”

‘Pasoja të rënda’

Trump u pyet gjithashtu për kërcënimin e tij në fillim të javës se do të kishte “pasoja të rënda” për Putinin nëse ai nuk do të ishte i interesuar për paqen.

“Ekonomikisht e rëndë, po, do të jetë shumë e rëndë. Nuk po e bëj këtë për shëndetin tim. Do të doja të përqendrohesha te vendi ynë, por po e bëj këtë për të shpëtuar shumë jetë, po, shumë e rëndë”, thotë Trump.

Presidenti amerikan do të fluturojë shtatë orë për në Alaska, ku do të takohet me Vladimir Putinin, në atë që analistët e quajnë një “mision historik”.

Trump do të shoqërohet në Alaskë nga personalitete si sekretari i shtetit Marco Rubio, sekretari i tregtisë Howard Lutnick, drejtori i CIA-s John Ratcliffe, sekretarja e shtypit Karoline Leavitt dhe shefja e stafit Susie Wiles.

(BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb