Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në emisionin Kjo Javë në News24, ka komentuar përplasjen mes klasës politike dhe SPAK, duke e cilësuar situatën si fazë finale të konfliktit.
Sipas Hoxhës, nuk ka më hapësirë për bashkëjetesë mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë së re, duke theksuar se SPAK dhe GJKKO u krijuan ekskluzivisht për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, që sipas tij lidhet me drejtues të lartë shtetërorë.
Ai u shpreh se pas një periudhe rreth 10-vjeçare bashkëjetese, situata ka hyrë në një test final, duke përmendur kryeministrin Edi Rama si figurë qendrore në këtë përballje. Sipas gazetarit, gjatë kësaj pranvere mund të ketë një përplasje finale mes palëve.
Hoxha deklaroi se, sipas analizës së tij, nëse do të ketë tentativa për të dobësuar SPAK, kjo do të sillte përplasje jo vetëm të brendshme politike, por edhe me partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë konsideruar SPAK interes kombëtar, ndërsa Bashkimi Evropian ka vendosur, sipas tij, kushte të forta në këtë drejtim, duke përfshirë financim dhe interesa gjeostrategjike.
Në vijim, gazetari u shpreh se sipas vlerësimit të tij, SPAK është në konflikt me atë që ai e cilëson si klasë politike të korruptuar, ndërsa shtoi se, sipas pretendimeve të tij, rrethi politik 14-vjeçar i Ramës është përfshirë në hetime të SPAK dhe se akuzat potenciale ndaj kryeministrit mund të lidhen me shpërdorim detyre, pengim drejtësie dhe çështjen e inceneratorit të Tiranës.
“Nuk ka më paqe tani, jemi në fazën finale, ose eliminohet njëra palë ose tjetra. SPAK dhe reforma në përgjithësi, SPAK dhe GJKKO u krijuan ekskluzivisht dhe vetëm për krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë. Korrupsionin e lartë kush e ka bërë, ministra, kryeministra, ja edhe drejtorët. Kaluan 10 vite dhe janë në bashkëjetesë, por nuk mundet të bashkëjetojë diçka e krijuar për të të eliminuar ty. Ka kaluar koha dhe testi final ku Edi Rama doli lakuriq dhe hoqi maskën është ky moment. Do kemi përplasjen finale brenda kësaj pranvere, përplasja finale do jetë dhe këta po të duan e kanë të thjeshtë. Nëse mblidhen në Parlament mund ta heqin SPAK. Por pyetja është sa ua mban. Kemi një betejë mes klasës së korruptuar politike, një fronti të përfaqësuar nga qeveria që ka në kontroll për të cilin ata luftojnë.
SPAK nuk është thjesht SPAK por është SHBA, që e ka shpallur SPAK interes kombëtar. BE e ka vënë vijën e kuqe edhe më fort, kanë financuar dhe kanë interesa gjeo strategjike në fund fare. Nëse do ketë përplasje përplaset ky front me SHBA dhe BE. Do vijë momenti që nëse fitojnë këta dhe ka ardhur koha të ndodhë kjo luftë. Këta e luftojnë SPAK sepse mbledh provat. Nuk ka më shteg që të bashkëjetojnë. Gjithë rrethi 14-vjeçar i Ramës ka përfunduar në SPAK, akuza më e paktë për Ramën është shpërdorimi i detyrës i sigurt, pengimi i drejtësisë po ashtu, firmën për inceneratorin e Tiranës e ka të sigurt akuzë.
Te AKSHI kanë dalë tmerre. Janë ende në përpunim përgjimet dhe audiot që kishin përdorur. AKSHI nuk është grup i strukturuar ,por organizatë mafioze e nivelit më të lartë, ka ministra polici, krim, rrëmbim, tentativa vrasjeje. Atje ka dalë ana e degradimit moral të atyre që na drejtojnë që është e llahtarshme”, u shpreh ai.
